4 tetor 2018, Prishtinë
Sot, më 4 tetor 2018, në Prishtinë, nën organizmin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po mbahet takimi me Task Forcën për trajtimin e problemeve me ndotjen e ajrit, ku pjesë e panelit është edhe zëvendësministri i MAPL-së, z. Beqir Fejzullahu.

Duke falënderuar për ftesën, zëvendësministri Fejzullahu tha se “Në pajtim me mandatin dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në kërkim të mënyrave më efikase për të vënë fokusin në mbrojtjen e ambientit, në muajin shkurt të këtij viti, MAPL-ja ka adresuar në komuna sqarimet për obligimet e tyre ligjore në fushën e mbrojtjes së ajrit nga ndotja. Nga autoritet komunale është kërkuar të ndërmerren veprime konkrete për minimizimin dhe shmangien e plotë të ndotësve të ajrit. Për më saktë, ne si MAPL kemi kërkuar nga komunat që brenda kompetencave të tyre ligjore të kryejnë veprimet si vijon: Hartimin e Planeve Lokale të Veprimit të Cilësisë së Ajrit; Miratimin e Planeve të Veprimit Lokal në Mjedis apo edhe Planeve të Përbashkëta Mjedisore me komunat tjera; Planeve për menaxhimin e mbeturinave; Zbatimin e parimeve për mbrojtjen e mjedisit brenda kompetencave të dhëna komunave; Kontrollin e vazhdueshëm dhe monitorimin e gjendjes së mjedisit; si dhe Raportimin në Ministrinë përgjegjëse për të gjithë operatorët të cilët emitojnë ndotjen e ajrit.”

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të insistoj që komunat brenda kompetencave të tyre të respektojnë obligimet ligjore edhe në fushën e mbrojtës së mjedisit, për këtë kemi theksuar se duhet t’i jepet prioritet edhe në kuadër të projeksioneve buxhetore, për të siguruar kapacitetet të nevojshme për përmirësimin e kushteve mjedisore dhe realizimit të projekteve që ndikojnë në cilësinë e ajrit. Përpjekja për ndalimin e masave ndotëse të ambientit nuk është e lehtë, por ju siguroj që MAPL me gjithë mekanizmat e saja, do të punojë që mbrojtja e ambientit të jetë prioritet dhe përfundimisht të arrijmë standardet e duhura për një mjedis të shëndoshë dhe ajër të pastër, shtoi zëvendësministri Fejzullahu.