Një delegacion i përbashkët i qeverisë së Kosovës, në përbërje të Zëvendësministrit të MAPL-së, z. Rifat Krasniç, si dhe Zëvendësministrit të Ministrisë së Administratës Publike, z. Hajredin Hyseni…
14 qershor 2013
Një delegacion i përbashkët i qeverisë së Kosovës, në përbërje të Zëvendësministrit të MAPL-së, z. Rifat Krasniç, si dhe Zëvendësministrit të Ministrisë së Administratës Publike, z. Hajredin Hyseni, shoqëruar edhe nga Përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe zyrtarë të tjerë nga të dy ministritë, qëndruan për një vizitë zyrtare në Ankara të Turqisë.
Delegacioni i Qeverisë së Kosovës u takua me Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Turqisë, z. Osman Güneş. Në këtë takim delegacioni kosovar u njoftua për së afërmi me format e menaxhimit të sektorëve të ndryshëm që hynë në kuadër të sigurisë, si dhe për format e menaxhimit të vetë administratës në kuadër të departamenteve të kësaj ministrie.
Vizita e mëtutjeshme e qeveritarëve kosovarë vazhdoi me pjesëmarrjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Administratës Lokal të MPB të Republikës së Turqisë, me temën “Struktura administrative turke, qeverisje lokale”, ku u bë edhe një prezantim i Departamentit për OJQ-të dhe i Departamentit për IT.
Me këtë rast delegacioni kosovar u njoftua për formën e ndërtimit të administratës lokale, si dhe për fushëveprimtaritë e organizatave joqeveritare, të cilat i plotësojnë hapësirat e aktiviteteve të ndryshme sociale.
Në vazhdën e vizitave zyrtare, delegacioni kosovar u takua me kryetarin e Komunës Altındağ të Ankarasë, Veysel Tiryaki, duke vazhduar me vizitat zyrtare në Ministrinë e Familjes dhe të Politikave Sociale dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetësisë. Zyrtarët turq kanë shprehur përkrahjen e plotë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e politikave sociale.
Delegacioni kosovar u njoftua për së afërmi edhe me qasjen e politikave sociale të shtetit turk, në vazhdën e të cilës u vizitua edhe Qendra për Trajnime dhe Teknologji për Personat me Aftësi të Kufizuara në Komunën Metropolitane të Ankarasë (Beşevler).
Zyrtarët e institucioneve turke u shprehën të gatshëm për bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat me institucionet e Republikës së Kosovës, bashkëpunim që pritet të rezultojë me avancimin e shërbimeve administrative dhe shërbimeve të tjera ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.