Qytetarët serbë të veriut nuk kanë shprehur edhe aq shumë interesim për të punuar në Zyrën administratave në veri të Kosovës, e cila pritet të themelohet shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës.
Qytetarët serbë të veriut nuk kanë shprehur edhe aq shumë interesim për të punuar në Zyrën administratave në veri të Kosovës, e cila pritet të themelohet shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës. Deri në mbyllje të konkursit për staf të kësaj zyreje, kanë aplikuar gjithsej 1 mijë e 40 qytetarë. Prej tyre vetëm 25 për qind janë qytetarë serbë të Kosovës, që në numër i bie mbi 250, derisa pjesa tjetër e aplikantëve janë shqiptarë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, ka thënë për “Zëri”, se deri në mbyllje të konkursit, që ka qenë dita e enjte, janë numëruar 1 mijë e 40 aplikacione, shumica nga shqiptarët.
"Kemi marrë 1 mijë e 40 aplikacione, prej tyre rreth 25 për qind janë aplikacione të dorëzuara nga qytetarët serbë”, tha Petroviq.
Edhe pse kjo iniciativë e ekzekutivit kosovar është parë me shumë pesimizëm nga partitë opozitare dhe nga analistët politikë, megjithatë Petroviq shpreson se kjo zyrë do të krijohet dhe do të jetë e suksesshme.
“Shpresojmë që kjo zyrë do të nisë së funksionuari brenda dy muajve. Unë jam duke dhënë maksimumin për të arritur sukses, por kjo nuk varet vetëm nga unë. Kjo varet edhe nga serbët në veri, por edhe nga ndihma që do ta na ofrojnë ndërkombëtarët”, tha Petroviq.
Analistët politikë në Prishtinë thonë se kjo inciativë e Qeverisë së Kosovës do të dështojë.
Behxhet Shala vlerëson se këta pak serbë që kanë aplikuar për të punuar, janë pjesë e dy grupacioneve. Sipas tij, njërit grup i takojnë ata që i kanë kushtet e vështira financiare, derisa grupit tjetër i takojnë ata që synojnë kontrollimin e asaj zyreje.
“Kërkesën e shqiptarëve e shoh si nevojë për një rrogë”, tha Shala.
Erzen Vraniqi nga Vetëvendosje thotë se numri kaq i vogël i aplikacioneve nga serbët tregon se ata vazhdojnë të jenë nën qeverisjen e strukturave ilegale, derisa shqiptarët, sipas tij, duke qenë të papunë e shohin si mundësi punësimi.
“Problemi i Mitrovicës si dhe i gjithë pjesës veriore është shtrirja e plotë e sovranitetit të Kosovës atje, përndryshe çfarëdo zyre administrative do ta ketë fatin e kontejnerit policor te tre rrokaqiejve dhe pashmangshëm do të sjellë në negociata të reja për veriun”, tha Vraniqi për “Zëri”.
Ismet Beqiri, shef i deputetëve të LDK-së, shpreson në funksionalizimin e kësaj zyre, por thotë që strukturat ilegale do të jenë ato që përsëri do të ndikojnë në prishje të kësaj iniciative.
“Duam të besojmë që kjo zyrë është hapi i parë që do të dërgojë deri te zgjedhjet e lira e demokratike në veri, në mënyrë që të krijohet komuna e re veriore, e paraparë me Pakon e Ahtisaarit. Megjithatë, duke e ditur qasjen e strukturave ilegale në atë pjesë dhe ndikimin që ka shteti serb, mund ta bëjnë të vështirë funksionimin e kësaj zyre”, tha Beqiri.
“Nuk duam që kjo zyrë të ketë fatin e koordinatorit të dërguar në veri nga kjo qeveri e po ashtu fatin e veprimeve të deritanishme”, u shpreh në anën tjetër, Ahmet Isufi nga AAK.
Ai shtoi se dështimi do të jetë i sigurt, nëse Qeveria nuk vepron me më shumë këmbëngulje dhe nëse nuk ofrohet siguri e plotë për funksionimin e kësaj zyreje. Nga ana tjetër, strukturat ilegale në veri, këtë iniciativë të qeverisë së Kosovës, e quajnë provokim.
“Mendoj se ky është një provokim që po na bën Prishtina. Qytetarët në veri nuk e duan këtë zyrë. Për ne akoma vlen dhe është në fuqi marrëveshja e Çoviqit dhe Shtajnerit, të cilën Beogradi e pati nënshkruar me UNMIK-un”, citohet të ketë thënë për mediet serbe, Marko Jakshiq, njëri prej liderëve në veri të Kosovës.
Ai ka shtuar se të gjitha iniciativat e tilla që po vijnë nga Prishtina, vetëm krijojnë provokime për tensione atje.
Provokim e quajnë edhe autoritetet e Beogradit, të cilët po ashtu u kanë bërë thirrje serbëve të veriut që të bojkotojnë njohjen e kësaj zyreje.