Në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe aktiviteteve për mbështetjen dhe forcimin e kapaciteteve të komunave me datë 17 nëntor 2026, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e Komunës së Kamenicës.
Ekipi i MAPL-së u prit nga z. Zijadin Thaqi, udhëheqës i Zyrës për Integrime Evropiane, si dhe nga përfaqësuesja e Zyrës për Informim të Komunës së Kamenicës.
Takimi u organizua nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkomunal dhe Komunal Ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e znj. Vjosa Shehu, përfaqësuese e Divizionit për Bashkëpunim Komunal Ndërkombëtar, si dhe znj. Shehide Krasniqi Fejza, përfaqësuese e Divizionit për Bashkëpunim Ndërkomunal.
Gjatë takimit përfaqësuesit e MAPL-së prezantuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, si dhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet komunave, me qëllim të zhvillimit të projekteve me interes të përbashkët.
Gjithashtu, u diskutua për mundësitë e përfshirjes së Komunës së Kamenicës në projekte dhe programe të bashkëpunimit ndërkombëtar, krijimin dhe forcimin e partneriteteve me komuna dhe institucione jashtë vendit, si dhe rëndësinë e raportimit të aktiviteteve dhe rezultateve të realizuara në kuadër të këtyre bashkëpunimeve.
Takimi shërbeu si mundësi për shkëmbimin e informatave, identifikimin e fushave me interes të përbashkët dhe avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet MAPL-së dhe Komunës së Kamenicës.