MAPL KONTRIBUON NË AVANCIMIN E TRANSPARENCËS, KOMUNIKIMIT DHE DIGJITALIZIMIT TË SHËRBIMEVE KOMUNALE

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) mori pjesë në punëtorinë dyditore “Mbështetja e AKK-së dhe Komunave në avancimin e transparencës dhe digjitalizimit të shërbimeve”, e cila u mbajt më 1 dhe 2 tetor 2026 në Pejë, e organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

MAPL u përfaqësua nga Flurim Arifi, Drejtor i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve Komunale, i cili mori pjesë në diskutimet me përfaqësuesit e komunave, AKK-së, Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe OSBE-së, lidhur me sfidat aktuale dhe hapat e mëtejmë për avancimin e transparencës, komunikimit dhe digjitalizimit të shërbimeve në nivel lokal.

Në kuadër të diskutimeve, Drejtori Arifi prezantoi perspektivën dhe angazhimet e MAPL-së në fushën e digjitalizimit të shërbimeve komunale, duke adresuar zhvillimet që lidhen me platformën E-Komuna, integrimin dhe avancimin e shërbimeve elektronike komunale, si dhe nevojën për koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional për rritjen e numrit dhe cilësisë së shërbimeve digjitale në dispozicion të qytetarëve.

Një pjesë e rëndësishme e punëtorisë ju kushtua funksionimit dhe përmbajtjes së uebfaqeve komunale, qasjes në dokumente publike, cilësisë dhe përditësimit të informacionit për qytetarët, si dhe sfidave praktike të komunave në përmbushjen e kërkesave për transparencë dhe komunikim publik.

Gjatë punëtorisë u prezantua edhe Draft Model Strategjia Komunale për Komunikim, e përgatitur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, si një kornizë orientuese që komunat mund ta përshtatin sipas madhësisë, kapaciteteve dhe nevojave të tyre.

Pjesëmarrja e MAPL-së në këtë punëtori ishte gjithashtu mundësi për shkëmbimin e drejtpërdrejtë të informatave me përfaqësuesit komunale lidhur me nevojat dhe sfidat që hasin komunat në procesin e digjitalizimit. MAPL do të vazhdojë bashkëpunimin me komunat, ASHI-në, AKK-në dhe partnerët tjerë për avancimin e shërbimeve komunale digjitale, transparencës dhe qasjes së qytetarëve në shërbime publike më efikase.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors