MAPL merr pjesë në punëtorinë për bashkëhartimin e Planeve Lokale të Veprimit për Qeverisje të Hapur 2026–2029

Prishtinë, 29 shtator 2026 – Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) morën pjesë në punëtorinë e përbashkët për bashkëhartimin e Planeve Lokale të Veprimit për Qeverisje të Hapur (OGP Local) 2026–2029 për komunat e Prishtinës dhe Gjakovës, të mbajtur në Hotel Sirius, në Prishtinë, me mbështetjen e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. 

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të komunave, kuvendeve komunale, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë dhe palë të tjera të interesit, me qëllim identifikimin e prioriteteve dhe bashkëhartimin e zotimeve konkrete në fushën e transparencës, pjesëmarrjes qytetare, llogaridhënies, inovacionit dhe transformimit digjital në nivel lokal.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit diskutuan sfidat dhe nevojat specifike të secilës komunë, zhvilluan sesione të veçanta për përcaktimin e prioriteteve dhe hartimin fillestar të zotimeve, si dhe shkëmbyen përvoja mbi avancimin e praktikave të qeverisjes së hapur. 

Pjesëmarrja e MAPL-së në këtë proces është në funksion të mbështetjes së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërlidhjes së nismave lokale me procesin e Qeverisjes së Hapur në nivel qendror, në kuadër të angazhimeve të Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP). Procesi do të vijojë me konsultimin dhe validimin e zotimeve të propozuara, drejt finalizimit të planeve përkatëse të veprimit për periudhën 2026–2029.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors