Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi punëtori një ditore me temën “Menaxhimi i Burimeve Njerëzore”.
Në kuadër të kësaj punëtorie u trajtuan çështje të rëndësishme që ndërlidhen me zhvillimin e procedurave administrative ndërmjet komunave dhe KPMSHCK-së, me theks të veçantë në rastet më të shpeshta që lidhen me ankesat për procedurat e rekrutimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve.
Gjatë punëtorisë u diskutua edhe për formimin dhe funksionimin e komisioneve për pozitat drejtuese, pozitat e zyrtarëve profesionalë, si dhe për çështje të tjera me rëndësi për administratën publike në nivel lokal.
Përfaqësuesit e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës ofruan sqarime lidhur me sfidat dhe rastet me të cilat përballen komunat gjatë punës së përditshme, veçanërisht në zbatimin e procedurave të rekrutimit, përzgjedhjes dhe trajtimit të ankesave.
MAPL mbetet e përkushtuar në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët relevantë, të organizojë edhe në të ardhmen takime dhe aktivitete të ngjashme, me qëllim të adresimit të nevojave të zyrtarëve komunalë, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe përmirësimit të mëtejshëm të efikasitetit në administratën komunale.

