Përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal kanë realizuar vizitë pune në Komunën e Leposaviqit, në kuadër të aktiviteteve për mbështetjen e komunave në avancimin e të drejtave të njeriut dhe ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve komunal.
Ekipi i MAPL-së u prit nga Drejtoresha e Administratës, Mirjana Miladinović, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, Marko Milenković, si dhe zyrtarja ligjore, Florije Ademi.
Gjatë takimit u diskutua për obligimet dhe përgjegjësitë e komunës në fushën e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë në krijimin dhe funksionalizimin e mekanizmave komunalë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përfshirë themelimin e Ekipit për të Drejtat e Fëmijës.
Po ashtu, u trajtuan nevojat e komunës për ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve komunalë, si dhe mundësitë për sistematizimin e pozitave dhe strukturave përgjegjëse për të drejtat e njeriut. Në këtë kuadër u diskutua për nevojën e funksionalizimit të njësisë apo caktimit të zyrtarit si: zyrtarit për të drejtat e fëmijës, zyrtarit për barazi gjinore dhe mekanizmave të tjerë relevantë, në përputhje me legjislacionin dhe përgjegjësitë e nivelit lokal.
Në takim u identifikuan edhe fushat në të cilat nevojitet mbështetje shtesë nga MAPL-ja, veçanërisht në organizimin e trajnimeve, ofrimin e këshillave profesionale dhe fuqizimin e mekanizmave komunal.
Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në takim morën pjesë Luljeta Ibishi Ferizi, Zyrtare e Lartë për të Drejtat e Njeriut në komuna, Hamit Fazliu, Zyrtar i Lartë, si dhe Nazlije Berisha, Zyrtare për Zhvillim të Kapaciteteve në Nivel Lokal.
MAPL do të vazhdojë bashkëpunimin dhe mbështetjen për komunën e Leposaviqit, me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale, përmbushjes së obligimeve ligjore dhe avancimit të respektimit të të drejtave të njeriut në nivel lokal.