MAPL zhvillon takim koordinues për harmonizimin e procesit të raportimit të OGP-së 2026–2028

Prishtinë, 26 gusht 2026

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) zhvilloi sot një takim koordinues në kuadër të zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP) të Kosovës 2026–2028.

Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi dhe harmonizimi i Kornizës së Monitorimit, Vlerësimit dhe Komunikimit (MEC), si dhe i formatit të unifikuar për raportimin e progresit nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e angazhimeve të Planit Kombëtar të Veprimit.

Gjatë takimit u diskutuan mënyra e raportimit të progresit, përgjegjësitë e institucioneve, dokumentet dhe dëshmitë mbështetëse, afatet e raportimit, si dhe procedurat për verifikimin, konsolidimin dhe komunikimin e rezultateve.

Në veçanti, u diskutua mënyra se si Ministria e Financave, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) do të raportojnë progresin në MAPL, ndërsa MAPL, në cilësinë e institucionit koordinues të procesit të OGP-së në Kosovë, do të jetë përgjegjëse për koordinimin, monitorimin dhe konsolidimin e të dhënave të raportuara.

Gjatë takimit u prezantua Korniza MEC, e cila përfshin aktivitetet dhe afatet, përgjegjësitë institucionale, treguesit e progresit dhe rezultateve, burimet e të dhënave, rreziqet, si dhe mënyrën e komunikimit të rezultateve. Po ashtu, u shqyrtua formati i propozuar për raportimin e progresit dhe dokumentacioni që do të shërbejë si dëshmi për aktivitetet e realizuara.

Takimi u udhëhoq nga z. Flurim Arifi, Drejtor i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna dhe Pikë Kontakti (PoC) për OGP Kosovë. Në takim mori pjesë edhe znj. Berbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL, në cilësinë e Zëvendëskryesueses së Forumit dhe përfaqësueses së organizatave të shoqërisë civile në këtë proces. Gjithashtu, në takim morën pjesë anëtarët e stafit të Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna, të angazhuar në koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e aktiviteteve në kuadër të procesit të OGP-së në Kosovë.

Në përfundim, pjesëmarrësit u dakorduan për hapat e mëtejmë drejt finalizimit të formatit të raportimit, përcaktimit të afateve dhe qartësimit të përgjegjësive institucionale, si dhe për vazhdimin e koordinimit ndërinstitucional në procesin e monitorimit dhe raportimit për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit të OGP-së 2026–2028.

Takimi u mbajt në ambientet e MAPL-së dhe përbën pjesë të angazhimeve të vazhdueshme për forcimin e koordinimit ndërinstitucional, sigurimin e raportimit të strukturuar dhe transparent, si dhe monitorimin efektiv të zbatimit të angazhimeve të OGP-së në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors