Dragash, 4 nëntor 2026
Në kuadër të fushatës kombëtare kundër trafikimit me njerëz, përkatësisht shtyllës së parandalimit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), përmes zyrtares së lartë për të Drejtat e Njeriut në Komuna, Luljeta Ibishi Ferizi, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe në bashkëpunim me institucionet locale, Policinë e Kosovës, me ftesë të zyrtares për Barazi Gjinore dhe Kundër Diskriminimit në Komunën e Dragashit, Lindita Kozmaqi Piraj, ka realizuar një sesion informues në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët (SHFMU) “Ulina”, në Kosavë të Komunës së Dragashit.
Aktiviteti kishte për qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve të klasave VIII–IX për format dhe rreziqet e trafikimit me njerëz, shfrytëzimin e fëmijëve, sigurinë në internet dhe rëndësinë e raportimit të rasteve të dyshimta.
Në sesion kontribuan përfaqësuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz në Prizren, rreshteri Labinot Ibrahimi dhe hetuesja Shyhrete Morina, ndërsa pjesëmarrja e Nazmije Demolli Kastratit, zyrtare për të Drejtat e Njeriut në Komunën e Kamenicës, mundësoi shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërkomunale.
Gjatë vizitës u diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me lëvizjen dhe migrimin e nxënësve brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe rëndësia e informimit dhe mbrojtjes së fëmijëve në komunitetet lokale.
MAPL, në kuadër të rolit të saj në shtyllën e parandalimit, vazhdon të mbështesë përfshirjen e komunave në fushatat vetëdijesuese, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe organizimit të sesioneve informuese në shkolla, me qëllim forcimin e parandalimit si dhe mbrojtjes së fëmijëve.
MAPL shpreh falënderim të veçantë për Lindita Kozmaqi Piraj për ftesën dhe bashkëpunimin, drejtorin e shkollës Behar Guri dhe stafin arsimor për mikpritjen, si dhe për përfaqësuesit e Policisë së Kosovës , Zyrtaren e Komunës së Kamenicës për kontributin në realizimin e aktivitetit.
Fushata përcjell mesazhin “TRAFIKIMI PREK TË GJITHË! TA MBROJMË VETEN DHE FËMIJËT TANË!”, nën sloganin “MOS HESHT!”, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim, përgjegjësi të përbashkët dhe raportim të rasteve të dyshimta të trafikimit me njerëz.

