Prishtinë, 15 shtator 2026
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka përmbyllur procesin e takimeve tematike dhe punëtorive për rishikimin, zhvillimin dhe përditësimin e treguesve të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale.
Ky proces, i zhvilluar gjatë javës së fundit, ka bashkuar përfaqësues të komunave, përfaqësues të MAPL-së, grupe punuese dhe ekspertë të fushave përkatëse, me mbështetjen e Helvetas DEMOS dhe ekspertit Levent Koro.
Gjatë takimeve dhe punëtorive janë shqyrtuar dhe diskutuar draft-treguesit e disa prej fushave të SMPK-së, përkatësisht:
· Fusha 3 – Buxheti dhe Financat;
· Fusha 5 – Kulturë, Rini dhe Sport;
· Fusha 6 – Menaxhimi i Fatkeqësive;
· Fusha 7 – Planifikimi Hapësinor Komunal;
· Fusha 8 – Hapësirat Publike;
· Fusha 9 – Infrastruktura Rrugore;
· Fusha 10 – Transporti Publik;
· Fusha 11 – Shërbimet Publike;
· Fusha 12 – Mbrojtja e Mjedisit;
· Fusha 13 – Përfaqësimi Gjinor; dhe
· Fusha 16 – Zhvillimi Ekonomik Lokal.
Gjatë këtij procesi, përfaqësuesit e komunave dhe ekspertët kanë dhënë komente, propozime dhe rekomandime konkrete lidhur me përmbajtjen, formulimin, mënyrën e matjes, verifikueshmërinë dhe zbatueshmërinë e treguesve.
Diskutimet kanë ofruar një hapësirë të rëndësishme për të reflektuar mbi përvojën dhe praktikat komunale, me qëllim që treguesit e rishikuar të jenë sa më të qartë, të matshëm, të verifikueshëm dhe të përshtatshëm për matjen reale të performancës së komunave.
Përmes këtij procesi bashkëpunues, MAPL synon të avancojë më tej Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale dhe të forcojë përdorimin e tij si një mekanizëm për planifikim më të mirë, vendimmarrje të bazuar në të dhëna, transparencë dhe llogaridhënie në nivelin lokal.
Përfundimi i këtyre takimeve shënon një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të treguesve të rishikuar të SMPK-së, të cilët do të kontribuojnë në vlerësimin më të saktë të performancës së komunave dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve për qytetarët.
MAPL shpreh mirënjohjen për të gjitha komunat, ekspertët dhe partnerët e përfshirë në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.


