Më 22 shtator 2026, u zhvillua një vizitë monitoruese në Mirditë, në kuadër të projektit “Mirdita – Junik”, i cili zbatohet në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë. Në vizitë morën pjesë përfaqësues të strukturave zbatuese të Programit – Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) të Shqipërisë dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Kryetari i Bashkisë Mirditë dhe ekipi i projektit.
Gjatë vizitës u inspektua lokacioni në fshatin Lufaj, ku është paraparë ndërtimi i një ballkoni panoramik, në vijim të investimit të ngjashëm të inauguruar në Junik më 4 korrik 2026. Pjesëmarrësit panë nga afër ecurinë e punimeve dhe diskutuan hapat e mbetur deri në përfundimin e tij. Ballkoni do t’u ofrojë vizitorëve një pikë të veçantë panoramike për të shijuar pamjet e zonës.
Punimet pritet të përfundojnë në tetor 2026. Përfundimi i këtij investimi do të pasurojë infrastrukturën turistike të Mirditës dhe do të kontribuojë në promovimin e potencialit natyror dhe turistik të zonës.
Projekti “Mirdita – Junik”, i financuar në kuadër të Thirrjes së 4-të të Programit të BNK-së IPA II Shqipëri – Kosovë, zbatohet nga CHwB Kosova, Bashkia Mirditë, Komuna e Junikut dhe Qendra UET. Projekti synon zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonën ndërkufitare përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe shtigjeve turistike, zhvillimit të turizmit aventuror dhe promovimit të trashëgimisë natyrore e kulturore.
Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë zbatohet nga SASPAC dhe MAPL dhe financohet nga Bashkimi Evropian përmes fondeve të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA).





