Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me projektin DEMOS – “Decentralizim dhe Përkrahje Komunave”, ka filluar procesin e konsultimeve me kryetarët të komunave, për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Shërbimeve Komunale 5 shkurt 2016, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me projektin DEMOS – “Decentralizim dhe Përkrahje Komunave”, ka filluar procesin e konsultimeve me kryetarët të komunave, për Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Shërbimeve Komunale.
Fillimisht, përfaqësues të MAPL-së, në krye me zëvendësministrin, z. Bajram Gecaj dhe zyrtarë të lartë nga MAPL-ja, i kanë vizituar komunat: Pejë, Suharekë, Obiliq dhe Graçanicë.
Gjatë takimeve që i kanë zhvilluar me kryetarët e komunave, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj e ka prezantuar dokumentin konsultues, duke thënë se, qëllimi i rishikimit të SMP-së është zgjidhja e problemeve që janë zhvilluar në sistemin e tanishëm dhe krijimi i një Sistemi për Menaxhimine Performancës së Shërbimeve Komunale/SMP-së, që i përshtatet qëllimeve të gjithë akterëve kyç: komunave, komuniteteve, qytetarëve dhe institucioneve të tjera të vendit.
Ky dokument konsultues kërkon pikëpamjet e komunave mbi ndryshimet e propozuara nga grupet e ekspertëve për shërbime specifike të niveleve të ndryshme, të cilat e përcaktojnë formatin e ardhshëm funksional të SMP-së, përofrim sa më cilësor dhe efektiv të shërbimeve për qytetarët që jetojnë nëpër komuna.
Konsultimet për dokumentin i kanë vazhduar edhe në komunat e Suharekës, Obiliqit dhe të Graçanicës.
Gjatë vizitave të lartpërmendura është theksuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal synon zhvillimin e një SMP-je, edhe më funksionale se deri më tani. Ky sistem ka për qëllim matjen dhe përmirësimin e performancës së kompetencave vetanake të komunave në fusha të caktuara, në ofrimin e shërbimeve për të cilat komunat dhe organet komunale janë të obliguara në kuadër të mandatit të tyre. Qëllimet e sistemit janë:
• Ofrimi dhe elaborimi i metodologjisë për matjen e shërbimeve komunale;
• Ofrimi i mundësive për krahasimin e performancës komunale me komunat e tjera;
• Ofrimi i mundësive për të matur performancën e shërbimeve me qëllim të përmirësimit të tyre.
Dokumenti konsultues është përgatitur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me ndihmën dhe mbështetjen e komunave, përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) dhe projektit DEMOS “Decentralizim dhe Përkrahje Komunave”.