Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrinë për Integrim Evropian, si dhe në mbështetje të Organizatës Qeveritare Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, me datë 29 prill 2016 mbajti konferencën informuese me komunat e rajonit të Prishtinës, me temë “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit Kosovë – BE dhe zbatimi i saj”. 3 maj 2016, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrinë për Integrim Evropian, si dhe në mbështetje të Organizatës Qeveritare Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, me datë 29 prill 2016 mbajti konferencën informuese me komunat e rajonit të Prishtinës, me temë “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit Kosovë – BE dhe zbatimi i saj”.
Qëllimi i kësaj konference ishte që të diskutohet për rëndësinë e MSA-së, hapat që do të ndërmerren në drejtim të zbatimit të saj, si dhe për rolin dhe detyrimet e Komunave të Kosovës që kanë në kontekst të përmbushjes së obligimeve nga agjenda evropiane.
Hapja solemne e konferencës informuese është bërë nga zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj, zëvendësministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, shefi i Njësisë për Çështje Politike, Ekonomike dhe të Integrimit në BE nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë z. Thomas Gnocchi, si dhe ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë znj. Marija Kapitanoviq. Zëvendësministri i MAPL-së z. Gecaj theksoi se “Avancimi i demokracisë lokale, si dhe rritja e kualitetit të shërbimeve komunale në përputhje me standardet evropiane ka qenë dhe është përkushtimi kryesor i yni gjatë kësaj periudhe. Pra, integrimi në “Familjen Evropiane” mbetet objektivi kryesor dhe MSA është udhërrëfyes për reforma dhe avancimin e demokracisë në përputhje me vlerat evropiane. Andaj, ky takim i sotëm është më se i mirëseardhur për të gjithë ne, si mundësi për njohjen më nga afër me përmbajtën, të drejtat dhe detyrimet e palëve nga marrëveshja e MSA-së, posaçërisht komunave të vendit, si njësi të vetme të nivelit lokal”.
Të pranishmit diskutuan për përfitimet nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit Kosovë – BE dhe zbatimit të saj, me theks të veçantë tek kriteri ekonomik. Po ashtu, u potencua edhe rëndësia e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së i cili fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit të Kosovës BE e që lidhen me përmbushjen e detyrimeve të MSA-së, përafrimin e legjislacionit vendas me Acquis të BE-së, si dhe zbatimin e legjislacionit të përafruar – përmes avancimit të politikave, reformave institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve.
Në pjesën e dytë të ditës konferenca ka vijuar me prezantimet e përfaqësuesve të Ministrisë së Integrimit Evropian mbi detyrimet dhe përfitimet politike dhe ekonomike që dalin nga MSA.