Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me programin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)/ Avancojmë Kosovën së Bashku (AKT), kanë organizuar tryezën me temë: “Transparenca komunale – rezultatet, sfidat dhe mundësitë për përmirësim”. 7 korrik 2016, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me programin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID)/ Avancojmë Kosovën së Bashku (AKT), kanë organizuar tryezën me temë: “Transparenca komunale – rezultatet, sfidat dhe mundësitë për përmirësim”.
Në këtë Tryezë, znj. Rozafa Ukimeraj, U.D. e Sekretares së Përgjithshme të MAPL-së, tha se Ministria e Pushtetit Lokal, vazhdon të ketë prioritet zhvillimin e transparencës së organeve të vetëqeverisjes lokale si dhe krijimin e praktikave të mira për qasje në dokumente publike, informimin e qytetareve në gjuhë zyrtare, publikimin e dokumenteve në gjuhë zyrtare dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, andaj me qëllim të zhvillimit të transparencës në komuna dhe zhvillimin e politikave për pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka hartuar aktet nënligjore, doracake dhe model plane me qëllim të zhvillimit të transparencës – u shpreh, znj, Ukimeraj.
Ndërkaq, z. Avni Sahiti, udhëheqës i Departamentit për Performancë dhe Transparencë komunale, duke përshëndetur të pranishmit, ftoi komunat që me qëllim të avancimit të transparencës dhe përmbushjes së obligimeve ligjore të përcaktuar me legjislacion, të vazhdojnë me bashkëpunimin, për të implementuar të gjitha obligimet nga raporti i progresit, si dhe obligimet tjera ligjore të organeve komunale.
Po ashtu, znj. Nazmije Krasniqi, Udhëheqëse e Divizionit për Transparencë komunale, prezantoi para zyrtarëve komunal të dhëna rreth publikimit të dokumenteve në gjuhët zyrtare në ueb-faqet zyrtare të komunave.
Në këtë tryezë, pjesëmarrësit prezantuan edhe sfidat me të cilat ballafaqohen në përmbushjen e obligimeve ligjore, për të cilat u përgjigjën përfaqësues të departamentit ligjor.
Të pranishëm në tryezë ishin: përfaqësues nga MAPL, Kryesues të KK, zëdhënës nga Komunat, përfaqësues nga shoqëri civile dhe përfaqësues nga USAID.