Në ambientet e Amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka mbajtur ceremoninë vjetore të publikimit të Raportit të Performancës së Komunave për vitin 2016, si dhe ndarjen e grantit stimulues për komuna, në prezencë të kryetarëve të komunave, auditorit të përgjithshëm, Asociacionit të Komunave të Kosovës, DEMOS, OSBE-së, OJQ-ve dhe mediave të pranishme.
Prishtinë, 22 Qershor 2017
Në ambientet e Amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka mbajtur ceremoninë vjetore të publikimit të Raportit të Performancës së Komunave për vitin 2016, si dhe ndarjen e grantit stimulues për komuna, në prezencë të kryetarëve të komunave, auditorit të përgjithshëm, Asociacionit të Komunave të Kosovës, DEMOS, OSBE-së, OJQ-ve dhe mediave të pranishme.
Udhëheqësi i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale z. Avni Sahiti hapi takimin duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni, si dhe potencoi faktin se matja e performancës së komunave është bërë në bashkëpunim me komunat pas vlerësimit të nevojave të tyre.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Rozafa Ukimeraj, në adresimin e saj theksoi se publikimi i raportit vjetor të performancës komunale tanimë ka një traditë të disavjeçare dhe përveç se e bën Kosovën si vendi i vetëm në rajon që ka të vendosur një sistem të menaxhimit të performancës komunale njëkohësisht mbetet si një tregues për rezultatet e punës institucionale të bartësve dhe akterëve kryesor si në pushtetin lokal ashtu edhe në pushtetin qendror, duke mbledhur dhe pasqyruar informatat nga një këndvështrim profesional dhe të pavarur, sipas një metodologjie të standardeve ndërkombëtare, për sa i përket matjes së cilësisë së shërbimeve publike dhe performancës së autoriteteve lokale. Në këtë kuadër, rritja e performancës komunale është evidente dhe këtë mund t’a vërejmë nga raportet krahasimore të performancës komunale ndër vite.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës z. Naim Ismajli, e vlerësoi matjen e performancës së komunave si një nga proceset më të rëndësishme të vendit, ku ky sistem tani është më i avancuar, më i thjeshtë dhe i cili ka mundësuar të nxjerrë komunat të cilat kanë performancën më të mirë.
Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit z. Besnik Osmani, theksoi se sistemi i tanishëm i menaxhimit të performancës së komunave ka ndryshuar rrënjësisht dhe për të mirë, duke mundësuar që procesi i auditimit për këtë sistem dhe indikatorët matës, të mundësoj evidentimin e saktë të ngecjeve dhe arritjeve të matjes së performancës.
Udhëheqësi i Divizionit për Performancë Komunale z. Isuf Zeneli prezantoi Raportin e performancës së komunave për vitin 2016, duke nënvizuar çështjet kryesore si: ndërtimin e SMPK-së, metodologjinë e matjes, qëllimin e matjes së performancës, arritjet e komunave sipas fushave dhe rezultateve, arritjet ekstreme dhe trendët e performancës.
Në përmbyllje të ceremonisë, u ndan shpërblimet për grantin stimulues të komunave, ku sipas ndarjes dhe renditjes, Komuna e Junikut u radhit e para, pasuar nga Komuna e Shtimes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Istogut, Komuna e Drenasit dhe Komuna e Prishtinës.