Në ambientet e UNDP-së në Kosovë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) së bashku me… 12 korrik 2011, Prishtinë
Në ambientet e UNDP-së në Kosovë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) së bashku me UNDP-në, prezantuan skemën e asistencës financiare për bashkëpunim ndër-komunal në Kosovë.
Me këtë rast, duke falënderuar UNDP-në për përkrahjen e vazhdueshme që po ofron, Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Rifat Krasnic tha se MAPL, ashtu si deri më tani, në bashkëpunim me donatorë dhe partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtar, do të jetë në mbështetje të komunave të Kosovës:
"Skema e asistencës financiare për bashkëpunimin ndër-komunal do të përkrahë promovimin e komunave të qëndrueshme përmes ndërtimit të kapacitetit të administratës komunale dhe ofrimit të barabartë të shërbimeve në nivelin lokal në Kosovë”, u shpreh ai.
Me këtë rast, menaxherja e projektit të UNDP-së për përkrahjen e decentralizimit në Kosovë (SDK), Rreze Duli njoftoi të pranishmit lidhur me detajet e procedurave për aplikim si dhe kriteret për përzgjedhjen e projekteve më të mira të cilat do të mbështeten përmes kësaj skeme.
Qëllimi i këtij prezantimi ishte që zyrtarëve komunal t’ju ofrohen udhëzime adekuate të cilat nxisin përpilimin projekteve, me kohëzgjatje prej gjashtë apo nëntë muajsh, me të cilat mund të aplikojnë dhe të jenë përfitues të skemës së asistencës financiare në vlerë prej 10 mijë deri në 20 mijë euro.
Pjesëmarrës në takim ishin kryetarë dhe zyrtarë të lartë të komunave të Kosovës të cilëve ju mbetet që deri më 15 shtator të këtij viti, deri kur është edhe e hapur koha për të aplikuar, të përgatisin projektet adekuate në përputhje me kriteret e caktuara.