Prishtinë, 7 shtator 2011
Ministri Petrovic: "Përvojat ndërkombëtare dhe bashkëpunimi rajonal janë të rëndësishme dhe luajnë një rol të dobishëm në përmbushjen e objektivave të reformës për modernizimin e pushtetit lokal"
Prishtinë, 7 shtator 2011
Ministri Petrovic: "Përvojat ndërkombëtare dhe bashkëpunimi rajonal janë të rëndësishme dhe luajnë një rol të dobishëm në përmbushjen e objektivave të reformës për modernizimin e pushtetit lokal"
Të martën, më 6 shtator 2011, në Prishtinë, përfundoi punimet konferenca e dytë vjetore ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale. Për dy ditë me radhë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, të vendeve të rajonit dhe të Evropës nga: Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe nga Turqia, kontribuuan në shkëmbimin e përvojave më të mira lidhur me qeverisjen lokale.
Nikoqiri i konferencës, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, tha:
“Edhe këtë vit, kjo konferencë ishte një forum i mirë ku funksionarë politik, drejtues të institucioneve qendrore e lokale si dhe shërbyes civilë nga vende të ndryshme patën mundësinë të punojnë bashkë, të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe praktikat më të mira për avancimin e vetëqeverisjes lokale”.
Gjithashtu, në ditën e dytë të konferencës prezantoi edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, z. Christopher Dell i cili shprehu përkrahje për fuqizimin e vetëqeverisjes në Kosovë si dhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal si parakusht për zhvillim ekonomik dhe kulturor të vendeve të rajonit.
Konferenca dy-ditore mbi vetëqeverisjen lokale e mbajtur më 5 dhe 6 shtator 2011 në Prishtinë kishte për synim që të rritë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar lidhur me vetëqeverisjen lokale si dhe të nxjerrë në pah mundësitë për partneritet në realizimin efikas të qëllimeve strategjike të vetëqeverisjes.
Angazhimi, shkëmbimi i përvojave rajonale dhe i praktikave më të mira midis institucioneve të vetëqeverisjes lokale të cilat synojnë përmbushjen e standardeve të BE-së apo që të anëtarësohen në BE, ishin bazë e diskutimeve në konferencë, duke u përqendruar në tri fusha kryesore: I. Reforma e Pushtetit Lokal, II. Legjislacioni i Pushtetit Lokal dhe III. Zhvillimi Rajonal dhe Bashkëpunimi Komunal.
Në fund të konferencës u lexua deklarata e përbashkët përmes të cilës delegacionet e shteteve pjesëmarrëse ftuan komunitetin e donatorëve, të zgjedhurit lokal dhe shoqërinë civile që të marrin pjesë aktive dhe të kontribuojnë në aktivitetet e përbashkëta në nivel rajonal për të vendosur një sistem cilësor dhe të qëndrueshëm për të mbështetur iniciativat dhe bashkëpunimin rajonal.