Petrovic: “Jemi shumë të interesuar në gjetjen dhe zbatimin e një zgjidhjeje të përshtatshme lidhur me buxhetin e shërbimeve sociale nëpër komuna” 17 nëntor 2011, Prishtinë
Petrovic: “Jemi shumë të interesuar në gjetjen dhe zbatimin e një zgjidhjeje të përshtatshme lidhur me buxhetin e shërbimeve sociale nëpër komuna”
Në kuadër të bashkëpunimit për ofrimin e shërbimeve sociale përmes një politike dhe kornize të përmirësuar, të decentralizuar dhe më efikase, u mbajt konferenca e parë vjetore për shërbimet sociale në Kosovë.
Përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministrisë së Administrimit të pushtetit Lokal (MAPL), Ministrisë së Financave (MeF) dhe përfaqësuesve të komunave të Kosovës, si nënshkrues të Memorandumit të Mirëkuptimit të dalë nga direktivat politike të përcaktuara në kuadër të Planit të Ahtisaarit, pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve tjera relevante të cilët veprojnë në kuadër të sistemit për ofrimin e shërbimeve sociale në Kosovë.
Duke shprehur përkushtimin e MAPL-së për avancimin e qeverisjes lokale, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, ritheksoi nevojën për bashkërendim të aktiviteteve për të tejkaluar vështirësive ekzistuese me të cilat ballafaqohen komunat në lidhje me ushtrimin e kompetencave që kanë për të ofruar shërbime sa më efikase për të gjithë qytetarët.
“Reforma e vetëqeverisjes lokale e cila po zbatohet në Kosovë, në të gjitha komponentet e saj, si qëllim kryesor ka nxitjen dhe forcimin e qeverisjes së mirë, rritjen e transparencës dhe ‘llogaridhënien’ karrshi qytetarëve, si dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike”, tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Me këtë rast, Ministri i MPMS-së, Nenad Rasic theksoi se tejkalimi i sfidave të identifikuara kërkon përkushtim dhe angazhim më të madh të institucioneve lokale të cilat do ta kenë gjithmonë përkrahjen e institucioneve qendrore të Kosovës.
Veçanërisht, duke synuar avancimin e shërbimeve sociale në Kosovë, punimet e kësaj konference u përqendruan edhe në përmirësimin e standardeve për trajtimin e kategorive në nevojë.