Në Prishtinë po mbahet konferenca regjionale “Shkolla për demokracinë lokale” me temën “Përvojat e vendeve të Ballkanit …
02 Nëntor 2011
Në Prishtinë po mbahet konferenca regjionale “Shkolla për demokracinë lokale” me temën “Përvojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin e decentralizuar të vetëqeverisjes – ndërtimi i koekzistencës dhe integrimi i komuniteteve përmes decentralizimit”.
Zëvendëskryeministri dhe njëherit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, theksoi suksesin që ka arritur Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal në procesin e decentralizimit, duke u vlerësuar pozitivisht edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian.
“Në kuadër të procesi të decentralizimit, i realizuar suksesshëm, janë formuar katër komuna të reja (Graçanica, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu), e të cilat pas dy viteve kanë treguar që punojnë në interes të qytetarëve që jetojnë në këto Komuna”, ka thënë Zëvendëskryeministri Petrovic.
Ministri Petrovic ka shtuar se prioritet i punës së qeverisë është sigurimi i një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ky është viti i tretë me radhë i një bashkëpunimi të suksesshëm me pjesëmarrës të shkollës së demokracisë lokale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe tërë kjo nën organizimin e Institutit Kosovar për Studime Politike dhe Institutit Kosovar të vetëqeverisjes lokale, me përkrahjen e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Programit për Zhvillim të Kombeve te Bashkuara (UNDP).
Qëllimi i konferencës regjionale është këmbimi i përvojave dhe analiza e realizimit të decentralizimit në vendet e regjionit nga aspektet e ndryshme, duke përfshirë realizimin e politikave dhe dhënien e shërbimeve si dhe paraqitjen e përvojave më të mira në regjion.