Prishtinë, 8 Mars 2012
Me 06 mars në Kukës është mbajtur takimi i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe përfaqësuesve të BE-së të të dy vendeve për të përfunduar përgatitjet për fillimin e zbatimit të programit të financuar nga BE për Bashkëpunim Ndërkufitar Kosovë-Shqipëri.
Me këtë rast ka filluar punen edhe zyra e Sekretariatit të Përbashkët Teknik për këtë program, e vendosur në Kukës si dhe një zyre në Prizren.
Në kuadër të Komponentës së II të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA) të Komisionit Europian dhe programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, janë vënë në dispozicion 2,4 milion Euro për hapësirat kufitare të të dy shteteve për dy vitet e ardhshme.
Qëllimi i përgjithshëm i programit është të promovojë bashkëpunimin midis njerëzve dhe institucioneve të zonave kufitare me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, mbrojtës së ambientit dhe kohezionit shoqëror.
Zbatimi i programit do të bëhet përmes thirrjes për propozime. Thirrja e parë për projekt propozime pritet të publikohet së shpejti, duke i ftuar organizatat lokale të dorëzojnë propozimet e tyre për zbatimin e projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e rajoneve kufitare Kosovë-Shqipëri.
Propozimet më të mira do të përzgjidhen për tu zbatuar më tej, përmes financimit nga fondet e parashikuara nga ky program.