Prishtinë, 26 mars 2019
Në kuadër të lansimit të fondit për bashkëpunimin ndër komunal, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe projekti “Aktiviteti për Qeverisje Efektive Lokale”, financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), dje realizuan takimin e parë informues me komunat: Dragash, Skenderaj, Leposaviq, Rahovec, Suharekë, Malishevë dhe Vushtrri.
Gjatë sesionit informues, përfaqësuesit e komunave patën rastin të njoftohen për së afërmi nga zyrtarët e MAPL-së lidhur me mënyrën dhe procedurat e aplikimit me projekte për fushën e bashkëpunimit ndër komunal.
Fondi për bashkëpunim ndër komunal është pjesë e buxhetit të MAPL-së nga kategoria buxhetore – investime kapitale. Për vitin 2019, vlera e përgjithshme financiare e fondit arrin shumën prej 1,000,000.00€, ndërsa kërkesat që vijnë nga komunat për mbështetje financiare nga buxheti i MAPL-së, do të përkrahen nga vlera minimale 150,000.00 € deri në vlerën maksimale 300,000.00€ euro për projekt.
Fondi për bashkëpunim ndër komunal ka për qëllim forcimin e partneriteteve ndërmjet pushtetit lokal në realizimin e projekteve të përbashkëta të komunave që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik lokal dhe projekteve kapitale të dy a më shumë komunave, që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, të bazuara në interesin e përbashkët lokal dhe vullnetin e lirë të komunave.
Thirrja për aplikim për fond të bashkëpunimit ndër komunal vazhdon të mbetet e hapur nga data 26.02.2019 deri më 10.04.2019.