Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, znj. Rozafa Ukimeraj pjesë e panelit në tryezën me temë “Publikimi i gjetjeve nga monitorimi i shpenzimit të parasë publike nga zyrtarët e komunave të Kosovës”

Prishtinë, 26 Prill 2019

Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, znj. Rozafa Ukimeraj sot ishte pjesë e panelit në tryezën me temë “Publikimi i gjetjeve nga monitorimi i shpenzimit të parasë publike nga zyrtarët e komunave të Kosovës”, të organizuar nga BIRN.

BIRN ka prezantuar raportin e monitorimit për shpenzimin e parasë publike, me fokus në shpenzimet e reprezentacionit të komunave, ndërsa Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani paraqiti të gjeturat për komunat sa i përket formave të kontrollit, por edhe aspekteve të menaxhimit dhe llogaridhënies në procesin e shpenzimit të parasë publike.

Gjatë diskutimit në panel, Sekretarja e MAPL-së znj. Ukimeraj paraqiti rezultatet dhe sfidat sa i përket proceseve buxhetore komunale, po ashtu aspekte të qëndrueshmërisë financiare të komunave dhe hapat qe ka ndërmarrë MAPL për përmirësimin e kornizës së politikave dhe legjislacionit, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies komunale në menaxhimin e fondeve publike.