Prishtinë, 26 Nëntor 2019
Përfaqësuesja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë pjesë në takim me rastin e hapjes së fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit , fushatë botërore që organizohet çdo vit e cila fillon me 25 Nëntor, e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Çdo vit përmes kësaj fushate anembanë botës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. Simboli i fushatës është kordelja e bardhë, ndërsa ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia me moton “Ti jepet fund dhunës ndaj grave ”për të siguruar një të ardhme më të mirë ku respektohet jeta dhe e drejta për të jetuar të lira, larg çfarëdo lloji të dhunës qoftë ajo fizike, psikike, emocionale apo ekonomike, që cenon të drejtat e njeriut- të drejtat e grave dhe vajzave në mbarë botën.
Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore si organizatore e këtij takimi tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe sipas përgjegjësive institucionale të gjithë institucioneve shtetërorë dhe mbarë shoqërisë ndaj fenomenit të dhunës ndaj grave dhe vajzave.