Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal, mori pjesë në takimin e përbashkët konsultativ të Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikim me Njerëz, lidhur me koordinimin dhe planifikim më të mirë të përfaqësuesve përgjegjës, me rastin e vizitës së eksperteve vlerësues nga Komisioni Evropian.
Programi i misionit do të përfshijë takime në veçanti me zyrtarë të lartë nga të gjitha agjencitë përkatëse të zbatimit të ligjit, përfaqësues të ministrive, Koordinatorin Kombëtar për TQNj, përfaqësues të shërbimit të ndjekjes penale, gjykatave dhe Institutit për Mjekësi Ligjore si dhe koordinatorë për zhvillimin e strategjisë së re mbi TQNj. Gjithashtu me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe organizatve të shoqërisë civile.
Ekspertët do t’i vlerësojnë kapacitetet e institucioneve kompetente në fushën e trafikimit me qenie njerëzore. Vlerësimi do të marrë parasysh prioritetet e politikës së BE-së mbi trafikimin me qenie njerëzore të përcaktuara në bazë të Komunikatës së vitit 2017 që rrit veprimin e BE-së në adresimin e TQNj dhe informatat përkatëse të përfshira në raporte dhe studime të publikuara në kuadër të kornizës ligjore dhe të politikave të BE-së mbi trafikimin me qenie njerëzore. Vlerësimi kolegjial në fjalë bëhet në kontekst të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovë (veçanërisht nenit 87).
Në Kosovë, vlerësimi i Grupit të Ekspertëve për Veprim kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore (GRETA), i realizuar nga ekspertë të Këshillit të Evropës në vitin 2015, ka paraqitur një sërë rekomandimesh për autoritetet e Kosovës, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në: masa të përmirësuara që synojnë komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian; regjistrim më të mirë të lindjeve dhe dokumentacion më të mirë personal; lehtësim të riintegrimit të viktimave dhe sigurim të qasjes së tyre në kompensim; konfiskim të përmirësuar të pasurive të lidhura me trafikim me qenie njerëzore dhe përdorim të përmirësuar të mbrojtjes së dëshmitarëve.
Vizita është organizuar dhe financuar nga Instrumenti i Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit (TAIEX) të Komisionit Evropian.