Prishtinë, 28 prill 2020
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar “RAPORTIN E AUDITIMIT PËR PASQYRAT FINANCIARE TË MINISTRISË SË ADMINISTRIMIT TË PUSHTETIT LOKAL” me ç’rast ka dhënë “OPINION I PAMODIFIKUAR” duke vlerësuar se “PASQYRAT FINANCIARE VJETORE PËR VITIN E PËRFUNDUAR MË 31 DHJETOR 2019, PREZANTOJNË NJË PAMJE TË DREJTË DHE TË VËRTETË NË TË GJITHA ASPEKTET MATERIALE”.
Raporti i auditimit është fokusuar në tri shtylla: Pasqyrat Financiare Vjetore, Menaxhimi financiar dhe kontrolli, si dhe Zbatimi I rekomandimeve. Në konkluzionet e raportit thuhet se Pasqyrat Financiare Vjetore të MAPL-së të prezantuara në Raportin Vjetor Financiar për vitin 2019, që ndërlidhen me pasqyrën e pranimeve dhe pagesave në para të gatshme, pasqyrën e ekzekutimit të buxhetit dhe shpalosjet për këto pasqyra janë të plota dhe të sakta. Menaxhimi financiar dhe kontrollet e brendshme në përgjithësi janë të përshtatshme dhe duke u zbatuar në mënyrë efektive, mirëpo kërkojnë angazhim të mëtejmë për të eliminuar mangësitë tek realizimi i pagesave dhe pasuritë.
Raporti ka vlerësuar se Ministria i është përgjigjur pozitivisht rekomandimeve të vitit paraprak, ku është vërejtur një angazhim i shtuar në zbatimin e tyre.
Në Raportin e Auditimit për vitin 2019, MAPL ka pranuar 4 rekomandime, ndërkaq asnjë rekomandim nuk e ka marrë në fushat si vijon:
1. Pasqyrat financiare vjetore;
2. Menaxhimi i resurseve njerëzore
3. Pagat dhe mëditjet;
4. Mallrat dhe shërbimet;
5. Shërbimet komunale;
6. Investimet kapitale;
7. Fondet nga donatorët;
8. Obligimet e papaguara;
9. Sistemi i auditimit të brendshëm.
MAPL mbetet e përkushtuar në adresimin e të gjitha të gjeturave dhe zbatimin e të gjitha rekomandimeve që dalin nga ky raport.