Prishtinë, 25 nëntor 2021
Në kuadër të Javës së Flamurit, u nënshkrua akti i marrëveshjes tripalëshe mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili mundëson realizimin e projektit “Krijimi i rrjetit bibliotekar në Kosovë”.
Projekti tripalësh që u nënshkrua sot ka për qëllim përfshirjen e bibliotekave të Kosovës në një Platformë të Shërbimeve Bibliotekare që do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave të vendit tonë, ndërtimin e katalogut të përbashkët, hyrjen e tyre në sistemet e zhvilluara bibliotekare, aftësim në përdorimin e teknologjisë, formateve të reja dhe njohje me praktika rajonale dhe botërore në fushën e bibliotekarisë, ngritjen e cilësisë së shërbimeve të bibliotekave në Kosovë, përmes automatizimit të shërbimeve, duke punuar në rrjet, si dhe krijimin e një rrjeti të huazimit ndërbibliotekar kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në këtë ceremoni morën pjesë Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Daulina Osmani, Zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elton Bahtiri, prorektor i Universitetit të Prishtinës, Fazli Gajraku, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, laureati i çmimit “Pjetër Bogdani” prof. dr. Robert Montoya, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe personalitete tjera të Bibliotekarisë nga SHBA-ja dhe nga Kosova.