Kryeministri Kurti, Ministrat Krasniqi, Murati dhe Rizvanolli diskutojnë me Kryetarët e Komunave për koordinimin në mes nivelit qendror dhe atij lokal

Prishtinë, 10 janar 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati dhe Ministren e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, kanë zhvilluar takimin koordinues me kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin e nivelit qendror dhe atij lokal.

Gjatë fjalimit të tij kryeministri i Republikës së Kosovës,  z. Albin Kurti, theksoi se në Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak që duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik dhe njëkohësisht kryeministri foli edhe për ndihmën dhënë qytetarëve dhe bizneseve, mbështetjen dhe nxitjen e prodhimit vendor në sektorin e bujqësisë, për arritjet në luftën kundër korrupsionit, aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkim Evropian e shumë arritje të tjera.

Nga ana tjetër ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, diskutoi rreth reformës ligjore në kuadër të agjendës legjislative të MAPL-së, financimin e projekteve komunale me qëllim të zhvillimit ekonomik lokal dhe ofrimin e shërbimeve sa më kualitative për qytetarët duke u bazuar në digjitalizim dhe efikasitet.

Poashtu, Ministri Krasniqi shtoi se MAPL do të vazhdojë të mbështes dhe bashkëpunoj me Komunat për të përmirësuar gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve dhe ngritur zhvillimin ekonomik lokal.