Prishtinë, 15 shkurt 2022
Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi së bashku me shefin e zyrës së OSBE-së ambasadorin, Michael Davenport dhe Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, kanë ndër mirënjohjet për Komunat të cilat kanë hartuar dhe miratuar Planet e Integritetit.
Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi ka theksuar rëndësinë e këtij procesi duke përmendur se “Integritetit i institucioneve publike është një nga parimet më të rëndësishme të qeverisjes së mirë. Përpjekjet për integritet, transparencë e llogaridhënie, duhet të jenë jo vetëm plane por ato duhet të jenë udhërrëfyes praktik i punës sonë të përditshme”.
Po ashtu ambasadori i OSBE-së, z. Michael Davenport, shtoi se “Jam i kënaqur që OSBE ka mundur të mbështesë MAPL-në dhe komunat në këtë proces, pasi që janë mjet i rëndësishëm për ndalimin e korrupsionit dhe dukurive tjera jo etike, por edhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët”.
Si rezultat i iniciativave dhe bashkëpunimit të përbashkët, mirënjohje ju nda 20 komunave: Kamenicë, Skenderaj, Prizren, Viti, Hani Elezit, Gllogoc, Pejë, Gjakovë, Obiliq, Malishevë, Suharekë, Lipjan, Junik, Rahovec, Kaçanik, Deçan, Dragash, Istog Vushtrri ,dhe Mitrovicë e Jugut të cilat tashmë kanë hartuar dhe miratuar këtë plan.
Hartimi i planit të integritetit është obligim i cili buron nga legjislacioni në fuqi si dhe “Strategjia Shtetërore Kundër Korrupsionit 2021-2023”. Përveç obligimeve ligjore, hartimi i planeve komunale, është dhe ka qenë një nga prioritetet i cili ka zë vend të rëndësishëm në raportet e Komisionit Evropiane për Kosovën për shumë vite me radhë.