Ekipi Menaxhues i Projektit “Komunat për të Rinjtë” në Kosovë, pati kënaqësinë që sot të mirëpritet nga Ambasadori i Japonisë në Kosovë, z. Mitsunori OGASAWARA. Avancimet në zbatimin e projektit, dhe aktivitetet e planifikuara u diskutuan gjërësisht, gjithashtu dhe planet për ceremoninë inauguruese të projektit, me ç’rast Ambasadori,z. Mitsunori OGASAWARA, shprehu gatishmërinë e Ambasadës Japoneze për mbështetje të vazhdueshme të komunitetit në Kosovë veçanërisht rinisë.
Projekti do të realizohet në dhjetë komuna të Kosovës me qëllim të përmirësojë përfshirjen socio-ekonomike të të paktën 3,000 të rinjve të margjinalizuar të moshës 15 – 24 vjeç në komunitetet e cenueshme përmes angazhimit qytetar dhe ngritjes së kapaciteteve dhe aftësive të tyre.
Projekti financohet nga Qeveria e Japonisë përmes mbështetjes së marrë në kuadër të Fondit Japonez për Zhvillim Social, të administruar nga Banka Botërore, dhe do të realizohet nga Ministria e Administrimit te Pushtetit Lokal.