MAPL dhe ZKM prezantojnë platformën E – Komuna dhe Shërbimet komunale: thjeshtimi dhe digjitalizimi

Prishtinë, 28 shtator 2022
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe me mbështetjen e Projektit DEMOS, ka organizuar punëtorinë me temë “Platforma E – Komuna dhe Shërbimet komunale: thjeshtimi dhe digjitalizimi”.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte prezantimi i aplikacionit/platformës E – Komuna, e cila ka të bëjë me krijimin e hapësirës për procesin e transparencës, llogaridhënies, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe përmirësimin e rritjen e efikasitetin të shërbimeve në nivelin lokal.
Po ashtu, në kuadër të kësaj punëtorie, u prezantua edhe Programi për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027 dhe Plani i Veprimit 2022-2024 ku ka filluar zbatimi i veprimeve të para për nivelin komunal, në funksion të thjeshtimit të shërbimeve administrative komunale. Ky veprim ka të bëjë me identifikimin, vlerësimin dhe shqyrtimin e të gjitha shërbimeve administrative komunale, e cila do të rezultojë me rekomandime konkrete për thjeshtimin e shërbimeve, në funksion të zvogëlimit të barrës administrative dhe lehtësimit të marrjes së shërbimeve nga ana e qytetarëve dhe bizneseve.
Në kuadër të kësaj punëtorie kanë marrë pjesë përfaqësues nga: MAPL, Zyra e Kryeministrit, koordinatorët e Komunave për sistemin e performancës komunale dhe donatorët.