Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian1, më 1 prill 2016, Programi i parë Kombëtar për Zbatimin e saj (PKZMSA)2 ishte miratuar nga Qeveria (më 16 dhjetor 2015) dhe Kuvendi (më 10 mars 2016), dhe ishte në zbatim e sipër. Në ndërkohë, korniza e planifikimit të politikave dhe ajo e ndërveprimit institucional mes dy palëve (Kosovës dhe BE-së) ka avancuar dhe është bërë më dinamike, me fokus në zbatimin e reformave që kërkon MSA. Në këtë kontekst të ri, i cili kërkon dinamizmin e reformave dhe përkushtim politik shumë më të madh në këtë drejtim, zbatimi i MSA-së zhvillohet në kuadër të dy kornizave të planifikimit të politikave: Programit për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA). Me fjalë të tjera, PKZMSA është korniza ombrellë, ndërsa ERA shërben si dokument më i fokusuar që paraqet prioritetet afatmesme dhe masa afatshkurtra për diskutime të vazhdueshme ndërmjet palëve nënshkruese të MSA-së, në nivelin më të lartë politik, mbi reformat kyçe që duhet të zbatojë Kosova në procesin e aderimit në BE.