Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) është institucion i administratës shtetërore të Republikës së Kosovës, e themeluar në vitin 2004. Funksionin e saj, MAPL e ushtron në bazë të Kushtetutës, Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregullores Nr.02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. Përgjatë këtyre viteve, MAPL ka qenë direkt e përfshirë në procesin e reformës së pushtetit lokal, respektivisht shtrirjen e procesit të decentralizimit në vend, sigurimit të kompetencave të mjaftueshme të pushtetit lokal dhe ushtrimit të tyre në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin e zbatueshëm. MAPL ndjek një politikë të afirmimit të të drejtave të komunave në rregullimin e çështjeve publike, krijimit të kapaciteteve të mjaftueshme të komunave për të ushtruar veprimtarinë e tyre në pajtim me parimin e ligjshmërisë, subsidiaritetit, transparencës, efikasitetit dhe efektivitetit dhe parimeve të tjera të qeverisjes së mirë.