Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Programin USAID/DEMI organizuan tryezën e përbashkët në të cilën u diskutua progresi i arritur në zbatimin e planeve të veprimit të prezantuara në Konferencën “Sukseset dhe sfidat në Komunat e reja të Kosovës”, në maj të vitit të kaluar.
29 janar 2013, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Programin USAID/DEMI organizuan tryezën e përbashkët në të cilën u diskutua progresi i arritur në zbatimin e planeve të veprimit të prezantuara në Konferencën “Sukseset dhe sfidat në Komunat e reja të Kosovës”, në maj të vitit të kaluar.
Në tryezën e organizuar nga MAPL dhe USAID, morën pjesë, z. Besnik Osmani, Sekretar i përgjithshëm i MAPL-së, Ginka Kapitanova, Drejtore e Programit të Iniciativës për Komuna Demokratike dhe Efektive, përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencioni i Pyjeve, si dhe kryetarë të komunave.
Prezantimet e progresit dhe sfidave u realizuan nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të ndjekur nga diskutimet pas çdo prezantimi për të marrë pikëpamjet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të komunave.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Besnik Osmani, gjatë fjalimit të tij tha se MAPL në bashkëpunim me USAID-in, dhe partnerët tjerë, në vazhdimësi ka mbështetur komunat e reja lidhur me aktivitete të cilat dolën si pjesë e planeve të veprimit të konferencës së vitit të kaluar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka përkrahur në vazhdimësi komunat e reja ne realizimin e projekte ve me interes për komunat të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në kualitetin e jetës së qytetarëve” tha Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, z. Besnik Osmani .
Planet e veprimit identifikuan çështjet më të rëndësishme për t’u adresuar në mënyrë që të avancohet më tutje reforma në pushtetin lokal, konkretisht mbrojtja dhe menaxhimi i pyjeve, fondet për projektet kapitale dhe kostoja e mirëmbajtjes së tyre, transferi i të hyrave vetanake indirekte dhe dhënia e tokës/pronës komunale. Synimi i tryezës ishte që të shqyrtohet progresi në zbatimin e planeve të veprimit, të prezantuara në Konferencë, përcaktimi i çështjeve të mbetura dhe pajtimi mbi masat për t’i adresuar ato.
Në tryezë u prezantuan edhe temat mbi rritjen e transparencës komunale dhe procesin e përzgjedhjes së projekteve të investimeve kapitale dhe mirëmbajtjen e tyre, mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve, përmirësimin e nivelit të personelit dhe financimit, procedura mbi përfshirjen e komunave në hartimin e planeve të veprimit dhe implementimin e rekomandimeve për procedurat e dhënies së tokës dhe pronës komunale në shfrytëzim.
Lidhur me këto tema u vlerësua se ka pasur progres të theksuar por që mbetet ende për të punuar në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve në mes të komunave të reja dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që çështjet publike të realizohen sa më afër dhe në interes të qytetarëve.
Iniciativa për Komuna Demokratike dhe Efektive e USAID-it punon në bashkëpunim me MAPL –në janë fokusuara për t’u ndihmuar komunave të Kosovës, liderëve dhe qytetarëve të tyre për të promovuar qeverisjen e mirë. USAID/DEMI punon ngushtë me zyrtarët lokalë për të identifikuar dhe arritur rezultatet kyçe sikurse: qeverisje më efektive, ngritjen e besimit në qeverinë, përmirësimin e shërbimeve lokale, zhvillim ekonomik lokal më të fuqishëm dhe përfshirje më të madhe të rinisë në çështje qytetare.