Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë kënaqësinë e veçantë të ju ftojnë në ceremoninë e publikimit të Mozaikut të Kosovës për vitin 2015.
26 maj 2016, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë kënaqësinë e veçantë të ju ftojnë në ceremoninë e publikimit të Mozaikut të Kosovës për vitin 2015.
Gjergj Dedaj, Zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në fjalën e tij hyrëse tha se në të gjeturat e hulumtimit nga Mozaiku 2015, ku janë pasqyruar përshtypjet dhe perceptimi qytetar për një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë edhe shërbimet publike që bien në kompetencë të institucioneve qendrore, por edhe të atyre lokale, vërehet kënaqshmëri më e lartë e qytetarëve për shërbimet lokale sipas kompetencave komunale. ”Ky raport vlerësues mund të jetë inkurajues për komunat por gjithsesi edhe si një sinjal që komunat të përpiqen me një përkushtim më të madh në mënyrë që qytetarët e tyre të kenë vlerësime më të mira sa i përket punës së tyre dhe ofrimit të shërbimeve komunale” tha Zëvendësministri i MAPL-së, Gjergj Dedaj.
Zëvendësministri Dedaj tha se opinioni i qytetarëve i realizuar edhe përmes këtij hulumtimi duhet të ndikojë tek lidershipi lokal, por edhe tek bartësit e institucioneve qendrore të kenë një pasqyrë të qartë sa i përket cilësisë së shërbimeve publike dhe masave që duhet marrë për përmirësimin e tyre. ”Jam i vetëdijshëm për vështirësitë financiare dhe kufizimet buxhetore që mund të kenë komunat, por sidoqoftë, bashkërisht po bëjmë përpjekjet maksimale që të mbështesim iniciativat lokale që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve” theksoi Zëvendësministri Dedaj.
Gjatë fjalimit të tij, Zëvendësministri Dedaj tha se Qeveria e Kosovës, në programin qeveritar, si objektiv kryesor ka vendosur përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Ky proces tha Zëvendësministri Dedaj do ti adresoj sfidat, qasjen zhvillimore sa i përket qeverisjes lokale, që tani janë vendosur në orientimet strategjike për vetëqeverisje lokale përmes strategjisë për vetëqeverisje lokale, si një dokument gjithëpërfshirës me vizionin e saj për përmirësimin e kualitetit të shërbimeve dhe për një jetë më të mirë për qytetarët.
”Për të pasur parasysh nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve lidhur me shërbimet publike domosdoshmërisht duhet të hartohen dokumente vlerësuese dhe të instalohet një sistem efikas i matjes së performancës komunale, në mënyrë që të ketë një menaxhim efikas të cilësisë së shërbimeve publike” tha Zëvendësministri Gjergj Dedaj.
Në ceremoninë e prezantimit të Mozaikut 2015 folën edhe përfaqësues të Organizatave ndërkombetre në Kosovë, z. Roccasalvo, Zëvëndës përfaqësuese e UNDP-së, z. Mike de la Rosa Zëvendës drejtor i misionit të USAID-së, ndërsa u zhvilluan edhe diskutimet nga penelistët, z. Naim Ismajli, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Begzad Sinani, Kryetar i Komunës së Kamenicёs, z. Vladeta Kostiċ, Kryetar i Komunës së Graҁanicёs.
Mozaiku 2015 prezantoi perceptimet dhe përshtypjet e qytetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës për nivelin e kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet publike të ofruara, përfshirë këtu performancën e kryetarit të komunës, kuvendeve komunale dhe administratës komunale. Mozaiku i Kosovës 2015, për të parën herë, prezanton një platformë elektronike të vizualizimit, me qëllim të përdorimit dhe të kuptimit më të lehtë të të dhënave nga anketa me qytetarët, e cila do të jetë bazë për një debat konstruktiv lidhur me cilësinë e shërbimeve të ofruara.