16 shtator 2011
Ministri Petrovic: “Adresimi dhe zgjidhja e çështjeve në sferën e shëndetësisë është me interes të veçantë për qytetarët e Kosovës”
Organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt takimi me përfaqësues të komunave të krijuara rishtazi në Kosovë me qëllim që të diskutohet lidhur me funksionimin e institucioneve shëndetësore nëpër komuna.
16 shtator 2011
Ministri Petrovic: “Adresimi dhe zgjidhja e çështjeve në sferën e shëndetësisë është me interes të veçantë për qytetarët e Kosovës”
Organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt takimi me përfaqësues të komunave të krijuara rishtazi në Kosovë me qëllim që të diskutohet lidhur me funksionimin e institucioneve shëndetësore nëpër komuna.
Duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm sinkronizimin e aktiviteteve midis ministrive të linjës, kryetarëve të komunave si dhe partnerëve ndërkombëtar për arritjen e rezultateve sa më të mira, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit lokal, Slobodan Petrovic shfaqi angazhimin e tij që, me energji shtesë, të sigurohet arritja e objektivave të përbashkëta e të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e kualitetit të shërbimeve për të gjithë qytetarët.
"Me gjithë përparimin e arritur në disa nga ministritë e linjës, një sërë masash është e nevojshme që të ndërmerren për të mbështetur obligimet dhe detyrimet e komunave të reja për të rritur kapacitetet e institucioneve në mënyrë që ato të ofrojnë shërbime sa më të mira për qytetarët”, tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Më pastaj, në prezantimin e tij, Ministri i Shëndetësisë z. Ferid Agani pasqyroi gjendjen ekzistuese në sektorin e shëndetësisë në Kosovë duke sqaruar prioritetet e qeverisë së Kosovës lidhur me reformën në shëndetësi e cila, sipas tij, mund të realizohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë të të gjithë akterëve relevantë të përfshirë në këtë proces.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse në këtë takim paraqitën disa nga sfidat dhe vështirësitë konkrete me të cilat përballen ata, duke nënvizuan se çështjet financiare, ato që kanë të bëjnë me personelin shëndetësor si dhe mungesa e pajisjeve të nevojshme përcjellëse në këtë sektor mbesin disa nga vështirësitë kryesore ekzistuese.
Në fund të takimit, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të lartë të ICO-së, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Financave u shfaq edhe njëherë gatishmëria e institucioneve të Kosovës që, në koordinim të plotë edhe me partnerët relevant ndërkombëtarë, të mbështesin sektorin e shëndetësisë në Kosovë.
Të dy ministrat konfirmuan se çështjet e adresuara në këtë takim, por edhe të tjerat që mund të adresohen më vonë, do të jenë pjesë e angazhimeve të mëtutjeshme të cilat synojnë lehtësimin e funksionimit të autoriteteve lokale në komuna në shërbim të avancimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët në Kosovë.