Organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për herë tretë me radhë nisi punimet Konferenca Ndërkombëtare për Vetëqeverisje Lokale “Forcimi i qeverisjes lokale përmes promovimit të vlerave Evropiane” 14 shtator 2012, Prishtinë
Në këtë Konferencë morën pjesë, z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Nevzat Bejta, Ministër i Pushtetit Lokal, Republika e Maqedonisë, z. Boris Milosevic, Zëvendës Ministër i Administratës, Republika e Kroacisë, z Ferdinand Pone, Zv. Ministër i Brendshëm, Republika e Shqipërisë, z. Mustafa B. Demirer, Nënsekretar në Ministrinë e Brendshme, Republika e Turqisë, Z. Samuel Zhbogar, Përfaqësues i BE-së në Kosovë, znj. Tracey Ann Jacobson, Ambasadore e SHBA në Republikën e Kosovës, znj. Atifeta Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës, si dhe ambasadorë, ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës, Ministra, përfaqësues nga organizatat donatore, kryetarë komunash dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Duke ju dëshiruar mirëseardhje, në fjalën e tij hyrëse, Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherësh Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe nikoqir i kësaj Konference, z. Slobodan Petrovic falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin dhe u uroi suksese gjatë punimeve të Konferencës.
“Ne konsiderojmë që procesi i modernizimit të vetëqeverisjes lokale është i vazhdueshëm në të gjitha poret e saj dhe që përfshin një sistem adekuat zgjedhor, kompetenca të bollshme dhe me burime financiare të qëndrueshme, administratë profesionale dhe me përdorim të teknologjisë së avancuar. Një mënyrë për t’i arritur këto është edhe duke shkëmbyer përvojat tona. Prandaj kjo konferencë është një vend ideal për të mësuar nga njëri-tjetri. Të shfrytëzojmë këtë shans bashkërisht”, theksoi zëvendëskryeministri Petrovic.
Ministri Petrovic porositi për bashkëpunim me qytetarët, me institucionet e Kosovës, në mënyrë që gjithë kjo të shkojë në dobi të tyre duke u përmirësuar jetën e tyre dhe familjeve të tyre.
Po ashtu fillimet e Konferencës Ndërkombëtare i përshëndeti edhe Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, duke thënë se pjesë e pandashme e projektit të shtet ndërtimit dhe të vizionit të Kosovës shumetnike ka qenë suksesi i decentralizimit i cili ka arritur qëllimin e tij për pjesëmarrje të qytetarëve në vendimmarrje që është element thelbësor i demokracisë.
“Sidoqoftë edhe në këtë proces të gjithë e dimë se kemi sfida të tjera. Pra krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, por kam besim se edhe kjo komunë do të krijohet shpejt dhe gjithmonë duke pasur edhe suksesin e integrimit të komunitetit në veçanti të komunitetit serb në jug, por edhe komuniteteve tjera në përgjithësi. Një sfidë tjetër që duhet të adresojmë në të ardhmen e afërt është komunikimi i institucioneve të Kosovës me komunitetin në veri. Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës në maj të këtij viti ka hapur Zyrën Administrative në veri të Mitrovicës”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ndërkaq, z. Samuel Zbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë, tha se do të vazhdojë të mbështes tutje perspektiven evropiane të Kosovës, duke shtuar se dhe qeverisja e mirë këtu është nocioni kryesor. z. Zhbogar ka kërkuar që qeveritë lokale të jenë më të fuqishme, në mënyrë që të ofrohen të gjithë qytetarëve shërbime më të mira.
Në Konferencë, mbështetje për zhvillim të qeverisjes lokale dha edhe ambasadorja amerikane, Tracy Jackobson, i cila tha se qytetarët duhet të involvohen më shumë dhe të dëgjohet zëri i tyre.
Po, ashtu në fjalimet e tyre, kanë përshëndetur fillimet e Konferencës edhe përfaqësuesit nga Shqipëria, Maqedoni, Kroacia, Turqia dhe Asociacioni i Komunave, Kryetari i Komunës së Prishtinës. Z. Isa Mustafa.
Konferenca Ndërkombëtare për vetëqeverisje Lokale do të vazhdojë punimet pasdite me Panairin e Komunave dhe nesër, në kuadër të së cilës ditë do të organizohen sesionet në komunat: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Novobërde ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë politik nga Kosova, Kroacia, Sllovenia, Irlanda e Veriut, Maqedonia, Mali i Zi dhe ekspertë nga rajoni dhe më gjerë.