FORMALIZOHET MARRËVESHJA NDËRMJET MAPL-SË, AMBASADËS BRITANIKE DHE UNDP-SË PËR FILLIMIN E IMPLEMENTIMIT TË PROJEKTIT PËR RRITJEN E LLOGARIDHËNIES INSTITUCIONALE DHE TRANSPARENCËS BUXHETORE

Prishtinë, 20 Dhjetor 2018

Sot, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj ka pritur në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe për Kosovë z. Ruairí O’Connell dhe U.D. e përfaqësueses së përhershme të UNDP-së për Kosovë, znj. Alessandra Roccasalvo.

Sekretarja Ukimeraj shprehi falënderime dhe mirënjohje për Ambasadorin e Britanisë së Madhe për Kosovë z. O’Connell dhe U.D. e përfaqësueses së përhershme të UNDP-së për Kosovë, znj.Roccasalvo, me rastin e formalizimit të bashkëpunimit ndërmjet MAPL-së, Ambasadës Britanike dhe UNDP-së për fillimin e implementimit të projektit të përbashkët për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe transparencës buxhetore të shpenzimit të fondeve publike.

Gjithashtu, Sekretarja Ukimeraj theksoi se “Ky projekt, përveç se merr praktikat më të avancuara të rritjes së kontrollit të brendshëm sa i përket menaxhimit të financave publike por njëkohësisht i jep mundësi qytetarëve që të marrin informata në kohë reale lidhur me shpenzimin e fondeve publike, duke ndikuar kështu në rritjen e transparencës buxhetore dhe llogaridhënies institucionale, sa i përket shpenzimit të parasë publike në raport me qytetarët dhe taksapaguesit”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe për Kosovë z. Ruairí O’Connell theksoi se “Ndjehet i lumtur që Qeveria e Britanisë së Madhe ka ofruar përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, ku edhe me këtë rast, formalizimi i kësaj marrëveshjes për krijimin e këtij sistemi, sjellë me vete fillimin e ndryshimeve pozitive për vendin dhe shoqërinë, ku transparenca e plotë në të gjitha nivelet e qeverisjes është garancë për punë të suksesshme dhe mirëqenie të mirë për të gjithë qytetarët”.

U.D. e përfaqësueses së përhershme të UNDP-së për Kosovë, znj. Alessandra Roccasalvo ri-konfirmoi përkrahjen e UNDP-së për marrëveshjen e arritur dhe për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren me qëllim të avancimit dhe rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe efektivitetit.

Në përmbyllje të takimit, Sekretarja Ukimeraj falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer në forcimin e parimeve të qeverisjes së mirë, posaçërisht kontributin dhe mbështetjen që i ka dhënë ministrisë me rastin e monitorimit të proceseve rekrutuese, përmes BIRN duke i kontribuuar kështu një përpjekjeje të përbashkët dhe shumë serioze, për të rritur kredibilitetin e procesit të përzgjedhjes së shërbyesve civil në të gjitha nivelet, që duke respektuar me përpikëri parimin e meritës të ndikojmë në avancimin e profesionalizimit në shërbimin civil, depolitizimin e administratës publike, rritjen e kredibilitetit të institucioneve shtetërore, si dhe hapjen e mundësive të reja për njerëzit kompetent dhe me integritet profesional.