Sot është një ditë për t’u shënuar jo vetëm në kalendarin e punës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe të zonës perëndimore të vendit tonë. Në Pejë nënshkruhet marrëveshja financiare mes Kosovës dhe Malit të Zi, sa i takon bashkëpunimit ndërkufitar…
Besnik Osmani
Sot është një ditë për t’u shënuar jo vetëm në kalendarin e punës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe të zonës perëndimore të vendit tonë. Në Pejë nënshkruhet marrëveshja financiare mes Kosovës dhe Malit të Zi, sa i takon bashkëpunimit ndërkufitar. Kjo ngjarje, hap rrugë lëvrimit të përmbi 3,5 milionë eurove të taksapaguesve europian në projekte që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të këtyre zonave. Kjo për fillim! Të tjerat vijnë pastaj. Por me një kusht: të bëjmë detyrat e shtëpisë mirë!
Kosova, tashmë ka programe të bashkëpunimit ndërkufitar me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Kemi shpresuar shumë që në këtë valle si rezultat i dialogut do të bashkohet edhe Serbia. Ky shteg, përmes nismave rajonale për të përmisuar kualitetin e jetës së qytetarëve tanë është shans që nuk duhet humbur. Ne e deshirojmë, po punojmë shumë për këtë dhe shpresojmë që kjo të ndodh në të ardhmën e afërt për të kontribuar bashkë në proceset integruese evropiane.
Në përgjithësi, bashkëpunimi ndërkufitar është një koreografi e ndërlikuar ku kërkohet bashkëpunimi i së paku dy ministrive të secilit vend, me njëra-tjetrën si dhe me institucionet homologe në vendin fqinj. Autoritetet lokale, shoqëria civile e përfaqësitë e biznesit janë vendimtare në procesin e identifikimit dhe prioritizimit të nevojave. Pos kësaj vyn edhe koordinimi me delegacionet e Komisionit Europian në shtetet respektive. Për rrjedhim, zbatimi i projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar merr kohë, por rezulton shpërblyes.
Do ta thjeshtësoj duke sjellë një ilustrim: njëzet e katër orët në ditë nuk kanë të njëjtin kuptim për qendrën urbane dhe periferinë rurale. Javët, ditët, orët kanë tjetër intensitet në Prishtinë dhe tjetër le të themi në Hokaj të Dukagjinit. Ritmet janë krejt të ndryshme. Ora 10 e mbrëmjes është koha kur një 22 vjecar në një fshat të thellë të Kosovës bie në gjumë sepse të nesërmen e presin punët e sezonit, ndërkohë që në Prishtinë një bashkëmoshatar i tij ndalet në pub, pasi ka parë koncertin e rradhës apo shfaqje teatri. Imagjinoni kur ky fshat i thellë shtrihet edhe në zonë kufitare. Natyra është e mrekullueshme, ajri është i pastër, produktet bio. Por përtej thjeshtësisë, nuk mohohet se në jetën e tij njeriu ka nevojë për mirëqenie, informacion, bashkëbisedim, kontakte njerëzore e kulturore, lexime, udhëtime, vetë-përmbushje. Nuk mund të thuhet se zonat kufitare i ofrojnë këto mundësi! Për arsye historike dhe sigurie, izolimi në to është më i thellë se në pjesët e tjera të vendit. Kufinjtë kanë si funksion primar mbrojtjen, ndaj edhe kontrolli në to është i shpeshtë dhe vigjilent. Cdokush që ka vizituar së paku njëherë këto zona i ka të qarta kontrastet. Atje ajri është i pastër, por jeta nuk është rozë! Prandaj merr rëndësi zbutja e kontrasteve, përmes fuqizimit të bashkëpunimit zhvillimor e kulturor mes zonave ndërkufitare. Kjo përbën thelbin e bashkëpunimit ndërkufitar, i cili mbetet edhe bashkëpunim rajonal.
Projektet e bashkëpunimit ndërkufitar kanë një moto: “mjaftueshëm të ngjashëm për të kuptuar njëri-tjetrin, mjaftueshëm të ndryshëm për të plotësuar njëri-tjetrin”. Cfarë do të thotë kjo? Jeta zhvillohet në qytete e fshatra, jo në institucionet qendrore. Askush më mirë se vetë komunitetet lokale nuk i di nevojat e veta, sado punë të bëjmë ne në qendër për t’i identifikuar. Shpresat, shqetësimet, planet dhe idetë janë të ngjashme në të dy anët e kufirit. Ka një kuriozitet dhe interesim të sinqertë për fqinjët e përtej-kufirit, cka përbën një bazë solide për të realizuar projekte të përbashkëta që synojnë përmirësimin e ekonomisë, mjedisit, kulturës dhe jetës. Bashkëpunimi Ndërkufitar do t’u sjellë këtyre komuniteteve atë që ata vetë propozojnë! Për programin e bashkëpunimit ndërkufitar të Kosovës me Shqipërinë për shembull është përmbyllur një thirrje për propozime. Projektet brenda një kohe të shkurtër arrijnë në destinacion, tek qytetarët. Në vjeshtë presim të publikohet edhe thirrja për propozime me Malin e Zi. Dhe, rezultati do të jetë i njëtë:- jetë më të mirë sidomos për qytetarët e brezit të gjerë tejkufitar.
E thashë që bashkëpunimi ndërkufitar është një proces kohë-gjatë. Mirëpo kjo nuk është kohë e humbur! Duke ditur se organizatat në zonat kufitare kanë pasur më pak qasje në projektet zhvillimore të Komisionit Europian i cili ka një numër procedurash strikte dhe voluminoze, ne kemi ngritur kapacitetet që do t’u vijnë në ndihmë këtyre organizatave, komuniteteve dhe individëve për të zbatuar me përpikmëri standardet e kërkuara. Për të maksimalizuar benifitet!
Për të mos humbur në terma teknike të fjalorthit të bashkpunimit ndërkufitar e rëndësishme është të dihet se mbështetja vjen nga struktura të mirë – specializuara (Komiteti i Përbashkët Menaxhues, Sekretariati i Përbashkët i Montorimit, Strukturat Operative dhe Antenat) të zhvilluara me ndihmën e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë. Në rastin e programit Kosovë-Shqipëri, si adresë për të gjithë aplikantët nga Kosova dhe Shqipëria shërben Agjencia për Zhvillim Rajonal Jug (Prizren), e cila ka ofruar hapësirën dhe kapacitetet për stafin e ngarkuar për bashkëpunimin ndërkufitar. I njëjti parim do vihet në lëvizje edhe për rastin e programit Kosovë-Mal i Zi, dhe adresa fizike është Agjencia për Zhvillim Rajonal Perëndim (Pejë) ku aplikantet potencial do të gjejnë përgjigje rreth programit dhe mundësive për grante. Jo vetëm kaq: detajet për datat e trajnimeve e sesioneve informuese dhe kalendari i aktiviteteteve do afishohen në faqen zyrtare të MAPL-së (mapl.rks-gov.net) dhe projektit të Bashkpunimit Ndërkufitar (cbckosovo.eu).
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e sheh me prioritet bashkëpunimin ndërkufitar, duke qenë se ka vlerë në tre fronte: politik, pasi konfirmon kapacitetet shtetndërtuese të Kosovës; integrues, meqë përbën modelin më të pastër të integrimit rajonal dhe europian; zhvillimor, sepse sjell progres, ndërveprim, mirëqenie për zonat më të thella të vendit. Ne jemi këtu për t’i dhënë mbështetjen e nevojshme dhe të duhur komuniteteve në zonat kufitare!
(Besnik Osmani është Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Koordinator Kombëtar i Bashkëpunimit Ndërkufitar).