13 qershor 2019, Mali i Zi
Sot, më datë 13 qershor 2019, Drejtoria për Financimin dhe Kontraktimin e Fondeve të Asistencës së BE-së në kuadër të Ministrisë së Financave në Mal të Zi ka pritur në zyret e saja në Podgoricë për një takim koordinues delegacionin e MAPL-së, të përbërë nga përfaqësues të Divizionit për Kontroll të Programeve të Bashkëpunimit Ndërkufitar (DKPBNK) dhe Divizionit të Bashkëpunimit Ndërkufitar.
DKPBNK është themeluar rishtazi në kuadër të ristrukturimit të Ministrisë, në përputhje me Rregulloren e re për organizimin e MAPL-së, e dalë si obligim nga Marrëveshja Bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi dhe dokumenteve tjera obligative për zbatimin e programit të BNK-së, si dhe ka për detyrë të bëjë kontrollimin dhe verifikimin e shpenzimeve të bëra nga përfituesit e granteve në Kosovë.
Qëllimi i këtij takimi, i cili do të mbahet edhe nesër është shkëmbimi i njohurive dhe përvojave në mes të dy strukturave dhe familjarizimit të trupës kontrolluese me aspektet praktike të verifikimit të shpenzimeve për përfituesit e granteve, si dhe çështjeve tjera përkatëse në lidhje me menaxhimin financiar të fondeve të IPA II, me theks të veçantë në kontrollin e shpenzimeve të përfituesve në Kosovë dhe zbatimin e veprimeve në përputhje me dispozitat e zbatueshme për aktivitetet që kanë të bëjnë me trupin kontrollues.