Sot, në ceremoninë e organizuar në ambientet e Hotelit Grand në Prishtinë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të … Prishtinë, 01 qershor 2011
Sot, në ceremoninë e organizuar në ambientet e Hotelit Grand në Prishtinë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic, së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të misionit të USAID-it në Kosovë, z. Craig Buck bënë ndarjen e shpërblimeve për 18 komuna të Kosovës bazuar në rezultatet e performancës dhe arritjet komunale.
Duke vlerësuar lart rezultatet e arritura, Zëvendëskryeministri Petrovic shprehu vendosmërinë e MAPL-së për mbështetjen e qeverive komunale si dhe inkurajoi ato për avancimin e sistemit të performancës edhe në të ardhmen.
“Ta shohim këtë si mundësi shtesë për komunat e Kosovës që bazuar në rezultatet e punës së tyre të përfitojnë fonde stimuluese të cilat drejtpërdrejt ndikojnë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, tha ai.
Procesi i vlerësimit të aplikacioneve dhe të dhënave të dorëzuara nga komunat është bërë në bashkëpunim të ngushtë midis projektit të USAID-it ‘Iniciativa për Komuna Demokratike dhe Efektive’ dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Nga vlera e përgjithshme e fondit stimulues prej 660 mijë dollarëve të ndarë për 18 komuna të Kosovës, MAPL ka ndarë 50 mijë euro, vlerë kjo e cila do t’u jipet dy komunave përfituese.
Me këtë rast, z. Buck theksoi se partneriteti gjithmonë mundëson arritjen e rezultateve më efikase.
“Shembulli i i krijimit të sistemit të performancës dhe ceremonia e sotme për ndarje të shpërblime për komunat që treguan performancën më të mirë e tregon më së miri këtë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, në këtë ceremoni, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal prezantoi raportin e monitorimit të perfomancës së komunave, derisa të pranishëm ishin edhe kryetarët e komunave repspektive, kryesuesit e kuvendeve dhe drejtorët e tri drejtorive komunale.
Me këtë rast u tha se zhvillimi i mëtejmë i këtij sistemi në të ardhmen mundëson efikasitet dhe ofrim më të mirë të shërbimeve për të gjithë qytetarët.