Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me donatorët e saj, Ambasadën e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, në një ceremoni të organizuar kanë përmbyllur procesin e ndarjes së Grantit të Performancës Komunale për vitin fiskal 2021. Kjo ngjarje është zhvilluar në praninë e Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, Ministrit të MAPL-së z. Elbert Krasniqi, ambasadorëve të tri qeverive donatorë të Grantit të Performancës, kryetarëve të komunave, Auditorit të Përgjithshëm, shoqërisë civile dhe mediave.
Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij të rastit theksoi se “Zhvillimi i sistemit për menaxhimin e performancës komunale është një ide e pranueshme dhe mjaft e rëndësishme për komunat. Sisteme të tilla lehtësojnë përpjekjet për arritjen e standardeve ligjore, nxisin konkurrencën, fuqizojnë transparencën dhe bëjnë që sjelljet e punonjësve të përqendrohen në arritjen e caqeve të synuara. 4.35 milionë të grantit të performancës në këtë periudhë jo të lehtë për shkak të pasojave të pandemisë, është një vlerë e mirëpritur për 21 komunat përfituese. Nëse marrim parasysh shumat e alokuara në 3 vitet e kaluara (mbi 12 milion euro), sigurisht që granti zë vendin e padiskutueshëm në zhvillimin ekonomik lokal. Vullneti ynë është që ky grant të jetë sa më përfshirës dhe të rritet vit pas viti”.
Në anën tjetër, ministri i MAPL-së zt. Elbert Krasniqi duke falënderuar ambasadat e tri qeverive mbështetëse të Grantit të Performancës, theksoi se “mbështetja financiare për komunat përmes Grantit të Performancës ndihmon tejkalimin e sfidave me të cilat ato përballen dita ditës. Nga viti 2018 e deri më tani rreth 160 projekte janë mbështetur përmes kësaj skeme. Vetëm në këtë cikël komunave u ofrohen 4.35 milion, ku do të financohen 65 projekte kapitale të komunave, pra një numër jo i vogël i investimeve përmes të cilave do të përfitojnë qytetarët tanë. Tani është në zhvillim e sipër të koncept-dokumentit për performancë dhe grant, me të cilin do të trajtohen më thellësisht qasjet zhvillimore të matjes së performancës dhe grantit, në mënyrë që të ofrohen opsionet më të mira për tejkalimin e sfidave të hasura dhe adresimit të problemeve të identifikuara”.
Për të theksuar rëndësinë e Grantit të Përformances Komunale, veqanërisht përfshirjes së treguesve të barazisë gjinore, dhe mbeldhjes së të dhënave në bazë të gjinisë, Ambasadorja e Suedise, Znj. Karin Hernmark, shtoi:
Granti i Performancës Komunale I shpërblen komunat që të performojnë mirë në qeverisjen demokratike, menaxhimin komunal dhe ofrimin e shërbimeve. Suedia është e lumtur të shohë se treguesit e barazisë gjinore janë përfshirë në kriteret e vlerësimit në të gjitha këto fusha. Të dhënat e ndara sipas gjinisë formojnë një pjesë të rëndësishme të vlerësimit.
Barazia gjinore është një kusht themelor për demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Qeveritë lokale janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve publike bazuar në nevojat e grave dhe burrave. Gratë duhet të mbajnë pozita udhëheqëse në arsim, shëndetësi, kulturë dhe politikë në komuna. Kjo është gjithashtu pjesë e kritereve për grantet komunale të performancës..
Autoritetet lokale janë në pozicionin më të mirë për të adresuar pabarazitë, duke qenë më pranë qytetarëve të tyre dhe duke kuptuar nevojat e tyre. Prandaj, komunat duhet të rrisin përfshirjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes dhe të forcojnë përfshirjen e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.
Gjithashtu, Zv. Ambasdorja e Zvicrës theksoi se “çmimet e shpërndara sot duhet të shërbejnë si një frymëzim dhe motivim për komunat e tjera për të përmirësuar performancat e tyre në të mirë të qytetarëve të tyre”. Ajo gjithashtu inkurajoi të gjitha komunat për të mundësuar angazhim më të lartë të qytetarëve të tyre në jetën publike, duke prezantuar shërbime më të çasshme gjatë kësaj përiudhe, siç është dixhitalizimi i shërbimeve komunale.
Në këtë ceremoni veç tjerash u ndanë çmimet për komunat të cilat gjatë vitit 2019 kanë treguar performancë më të lartë në ofrimin e shërbimeve. Në bazë të raportit vlerësues, për këtë grant janë kualifikuar 21 komuna të cilat kanë arritur t’i përmbushin kushtet minimale në bazë të Rregullave të GPK-së, derisa renditja e tyre është bërë në bazë të pikëve të arritura në 29 tregues të grantit. Me këtë rast, u ndanë 4 çmimet për komunat me performancën më të mirë, ku në vendin e parë është kualifikuar komuna e Gllogocit, në vendin e dytë Komuna e Obiliqit, derisa në vendin e tretë janë radhitur 2 komuna, ajo e Lipjanit dhe Obiliqit. Për 21 komunat përfituese, janë ndarë 4.35 milion euro, prej tyre 1.5 milion nga buxheti i MAPL-së, 1,260,000 nga qeveria e Zvicrës, 713,000 qeveria suedeze dhe 877,000 nga qeveria norvegjeze. Komunat përfituese kanë parashtruar kërkesat e tyre për financim të shprehura me 60 projekte të cilat janë përcjellë me marrëveshje trepalëshe të bashkëfinanicmit.