Prishtinë, 09 Korrik 2020
Ka filluar procesi i vlerësimit të performancës së komunave për vitin 2019. Ky vlerësim është duke u bërë pas rishikimit të Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale për 19 fusha dhe 119 tregues të matjes. Krahas shërbimeve komunale të fushave të deritanishme ku hyjnë: shërbimet administrative, shërbime sociale, mbrojtja e mjedisit, planifikimi urban, infrastruktura komunale, transporti publik, parkingjet, uji i pijshëm, menaxhimi i mbeturinave, si dhe shërbime të tjera, në këtë fazë, për herë të parë bëhet edhe vlerësimi i performancës së komunave në fushën e arsimit parauniversitar, shëndetësisë primare, barazisë gjinore dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Ky proces mbështetet në Rregulloren e re për Sistemin e menaxhimit të performancës komunale e cila ka hyrë në fuqi më 01 korrik të këtij viti. Rezultatet e punës së komunave do të merren për bazë në ciklin e radhës së ndarjes së grantit për performancë komunale.
Ky aktivitet mbështetet nga Projekti DEMOS/SDC.