Prishtinë, 04 korrik 2019
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal zj.Adrijana Hodžić, ka pritur në takim përfaqësuesit nga USAID dhe përfaqësuesit e projektit USAID/LEGA. Ministrja Hodžić, ka shprehur gatishmërinë e saj dhe të MAPL-së për të ofruar përkrahjen me qëllim të implementimit të projektit 5 vjeçar, në 14 Komuna.
Fokusi i këtij projekti do të jetë: përfshirja e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, rritja e bashëpunimit ndërkomunal dhe përmirësimi i kornizës ligjore, prandaj në këtë kuadër, Ministrja Hodžić paraqiti nevojat e komunave, me qëllim të përkrahjes së tyre.
“Fuqizimi i transparencës dhe përfshirja e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes, janë parakusht për një qeverisje të suksesshme komunale dhe në këtë kontekst MAPL do të jetë partneri kyq në mënyrë që projekti USAID/LEGA, por edhe projektet tjera të USAID të implementohen suksesshëm duke ndikuar kështu në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, tha Ministrja Hodžić.
Ajo njëkohësisht falënderoi USAID për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin shumë të vlefshëm për të avancuar vetëqeverisjen lokale në Kosovë.