Prishtinë, 5 shtator 2011
Ministri Petrovic: “E ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj është integrimi euro-atlantik. E ardhmja e rajonit është e njëjtë. Prandaj, të punojmë së bashku vazhdimisht sikurse edhe në këtë konferencë që të nxisim bashkëpunimin rajonal, ndër-kufitar e ndër–komunal, të bashkojmë virtytet tona të mira, të bashkojmë përkushtimin tonë të plotë për përmbushjen e obligimeve që kemi marrë nga qytetarët e vendeve tona”
Prishtinë, 5 shtator 2011
Ministri Petrovic: “E ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të saj është integrimi euro-atlantik. E ardhmja e rajonit është e njëjtë. Prandaj, të punojmë së bashku vazhdimisht sikurse edhe në këtë konferencë që të nxisim bashkëpunimin rajonal, ndër-kufitar e ndër–komunal, të bashkojmë virtytet tona të mira, të bashkojmë përkushtimin tonë të plotë për përmbushjen e obligimeve që kemi marrë nga qytetarët e vendeve tona”
Nën patronatin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe e mbështetur nga UNDP, sot nisi punimet konferenca e dytë vjetore ndërkombëtare mbi vetëqeverisjen lokale në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, të vendeve të rajonit dhe të Evropës.
Duke konfirmuar edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar me qëllim të avancimit të qeverisjes lokale, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic tha se nevojitet bashkëpunim i ngushtë me qëllim të avancimit të kualitetit të shërbimeve publike dhe realizimit efikas të qëllimeve strategjike të vetëqeverisjes lokale.
"Programin nacional për vetëqeverisje lokale po synojmë ta bëjmë realitet dhe ne sot po prezantojmë të arriturat e Kosovës në reformën e pushtetit lokal dhe në procesin e decentralizmit, segmente këto të cilat burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta e vendit tonë”, tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Më tej në konferencë, duke paraqitur praktikat e tyre nga vendet prej nga vijnë, kontribut të veçantë dhanë edhe z. Davorin Mlakar, Ministër i Administratës Publike të Kroacisë, z. Bojan Suvorov, Sekretar i Shtetit për Administratë Publike të Sllovenisë, Z. Ferdinand Poni, Zëvendësministër i Punëve të Brendshëm të Shqipërisë, z. Mladen Jovovic, Zëvendësministër i Punëve të Brendshëm të Malit të Zi, si dhe z. Yavuz Selim Kosger, Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal të Turqisë.
Gjithashtu, në konferencë prezantuan edhe z. Pieter Faith, shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, znj. Osnat Lubrani, Koordinatore e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe njëherit Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, z. Milan Bandic, kryetar i Zagrebit, si dhe z. Edmond Panariti, Zëvendëskryetar i Tiranës.
Konferenca dy-ditore do të vazhdojë punimet nesër dhe ka për qëllim të sjellë së bashku përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes dhe të ministrive nga Kosova dhe rajoni, institucionet qeveritare, shoqërinë civile, donatorët dhe agjencitë ndërkombëtare të përfshira në avancimin e qeverisjes lokale.