Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare, organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, po sot është organizuar edhe Panairi i Komunave, një rast ky, ku komunat e Republikës së Kosovës patën mundësinë që të paraqesin dhe prezantojnë komunën e tyre, shërbimet e tyre ndaj qytetarëve, investitorëve të ndryshëm, grupeve të biznesit, grupeve të interesit dhe akterëve tjerë të interesuar.
14 shtator 2012, Prishtinë
Në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare, organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, po sot është organizuar edhe Panairi i Komunave, një rast ky, ku komunat e Republikës së Kosovës patën mundësinë që të paraqesin dhe prezantojnë komunën e tyre, shërbimet e tyre ndaj qytetarëve, investitorëve të ndryshëm, grupeve të biznesit, grupeve të interesit dhe akterëve tjerë të interesuar.
Hapjen e Panairit e bëri Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga dhe Zëvendëskryeministri z. Slobodan Petrovic.
Me këtë rast Zëvendëskryeministri Petrovic tha se organizimi i këtij Panairi është një rast i mirë që komunat t’i prezantojnë mundësitë dhe potencialet e tyre.
“Prioritet imi dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është që t’i përkrah iniciativat që vijnë nga komunat dhe që kanë për qëllim zhvillimin e tyre. Ne do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e vetëqeverisjeve lokale, për forcimin financiar të komunave dhe do të vazhdojmë të punojmë në interes të komunave dhe në interes të qytetarëve. Jam i lumtur që në kapacitetin e ministrit mund të inaugurojë për herë të parë Panairin e Komunave të Kosovës me dëshirën që të bëhet një ngjarje tradicionale – theksoi Zëvendëskryeministri Petrovic.
Duke përgëzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për organizimin e një Konference të tillë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifeta Jahjaga tha se shkëmbimi i përvojave dhe i të arriturave në vetëqeverisjen lokale, shfrytëzimi i potencialeve dhe kapaciteteve të komunave, ndihmon që kompetencat e bartura nga pushteti qendror në nivel komunal të shfrytëzohen me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët të hapjes së perspektivës dhe të bashkëpjesëmarrjes në vendimmarrje.
“Panairi tradicional vë në pah vlerat tuaja tradicionale, veçoritë dhe karakteristikat e secilit mjedis të cilat në diversitetin tonë na bashkojnë dhe na bëjnë që Kosovën ta ndjejmë dhe ta kemi atdhe tonin të përbashkët” – theksoi Presidentja Jahjaga.
Në këtë panair secila komune ka prezantuar në radhë të parë, Strategjitë dhe planet e zhvillimit ekonomik lokal, planet zhvillimore urbane, zonat apo parqet industriale, zhvillimin ekonomik lokal, prezantimin e mundësisë për të bërë biznes në atë komunë, nxitjen e investimeve të mundshme, prezantimin e zonave të turizmit, aktivitetet e kulturës dhe festivalet tradicionale, turnetë dhe garat sportive.
Ky panair është një mundësi konkuruese mes Komunave, pasi në kuadër të këtij Panairi do të ketë edhe ndarje shpërblimesh për tre Komunat fituese.