Prishtinë, 14 shkurt 2019
Dje, datë 13 shkurt 2019, Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar “ Raportin e Transparometrit të Komunave për vitin 2018”, projekt i cili është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Ky raport përfshinë hulumtimin për indeksinë e transparencës dhe llogaridhënies për 11 komuna, si: Mitrovicë Jugore, Obiliq, Drenas, Malishevë, Klinë, Mamushë, Dragash, Shtërpcë, Graçanicë, Viti dhe Kamenicë.
Me këtë rast, në cilësinë e panelistës ka folur Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj e cila theksoi se “ MAPL gjatë këtyre viteve ka zhvilluar një numër të madh të projekteve dhe platformave që promovojnë elemente të transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes qytetare në vendimmarrje”. Znj. Ukimeraj vuri në fokus edhe përkushtimin e ministrisë për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien publike, kështu duke dhënë shembullin e modelit institucional të transparencës, ku MAPL është në proces të krijimit të këtij modeli në mbështetje të Ambasadës Britanike dhe për të njëjtin, në vitin e ardhshëm është planifikuar që këtë sistem t’a zgjerojmë dhe replikojmë në 5 komuna.
Po ashtu, MAPL me mbështetjen e Ambasadës Britanike ka filluar një proces transparent të monitorimit të rekrutimit të pozitave të shërbyesve civil (projekt i mbështetiur nga Ambasada Britanike dhe implementuar nga BIRN), është bërë vlerësimi i projektpropozimeve për kategorinë e subvencioneve në bashkëpunim me shoqërinë civile; vlerësimet e ligjshmërisë së akteve komunale bëhen publike në kohë reale; kontratat e prokurimit janë publike dhe aktualisht është e hapuar ftesa për të gjitha organizatat e shoqërisë civile që të paraqesin interesin e tyre për monitorimin e të gjitha proceseve tenderuese.