Prishtinë, 04 prill 2020
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim partnerët e saj strategjik SDC-DEMOS, SIDA dhe Ambasadën Norvegjeze në Kosovë, kanë përmbyllur procesin e përzgjedhjes së komunave përfituese nga granti i paraparë i performancës komunale për vitin 2020.
Përmes Komisionit të Grantit të Performancës Komunale është bërë përzgjedhja e 23 komunave përfituese të 4.9 milion eurove nga granti i performancës komunale, prej të cilave 2.5 milion janë ndarë nga MAPL, 950,000 euro SDC, 540,000 Qeveria Suedeze dhe 910,000 Qeveria Norvegjeze.
Komunat janë kualifikuar në bazë të vlerësimit të performancës së arritur, mbështetur në Rregullat e Grantit të performancës komunale. Vlerësimi dhe përcaktimi i shumave financiare është bërë në një proces tejet transparent dhe gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje aktive të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Grantit, të përbërë nga: MAPL dhe MF si struktura vendimmarrëse, dhe anëtarëve të tjerë vëzhgues nga SDC-DEMOS, Ambasada Suedeze, Ambasada Norvegjeze dhe Instituti GAP.
Raporti përmbledh informatat kyçe të performancës së komunave gjatë vitit 2018 dhe ndërlidhjes së këtyre rezultateve me indikatorët dhe komponentët e tjerë përcaktues të grantit. Tri kriteret e përdorura në këtë cikël të vlerësimit kanë qenë parakusht për qasje në grant. Sipas këtyre kritereve, komunat është dashur që:
•Të kenë një opinion auditimi të paktën të pamodifikuar me theksim të çështjes;
•Të kenë shpenzuar 75% ose më tepër të buxhetit për investime kapitale; dhe
•Të kenë nënshkruar marrëveshjen tripalëshe të pjesëmarrjes (komuna, MAPL-ja dhe HELVETAS Swiss Intercooperation).
Rezultatet tregojnë se kriteret minimale janë përmbushur nga 23 komuna: Pejë, Junik, Lipjan, Gllogoc, Kacanik, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Vushtrri, Hani i Elezit, Klinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Gjakovë, Suharekë, Malishevë, Viti, Gracanicë, Kllokot, Ranillug, Shtërpcë, Mamushë, dhe Leposaviq.
Veç tyre, Rregullat e Grantit parashohin një bonus prej 10% të toalit të grantit për 3 komunat me performancën më të mirë në ofrimin e shërbimeve. Si rrjedhojë, 3 komunat që kanë arritur numrin më të madh të pikëve sipas performancës janë: Komuna e Pejës – vendi i parë; Komuna e Junikut – vendi i dytë dhe Komuna e Lipjanit – vendi i tretë.
Marrë parasysh kredibilitetin e këtij sistemi, MAPL do të vazhdoj edhe më tutje me matjen vjetore të performancës komunale dhe ndarjen e shpërblimeve për komunat më të suksesshme. Do të bëhen përpjekje për zgjerimin e bazës së grantit të performancës komunale, në pajtim me prioritetet strategjike të qeverisë, ashtu që të krijohen stimuj financiarë për komunat në funksion të ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarë.
Matja është element shumë i rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve, andaj prezenca e grantit të performancës komunale jep hapësirë për përafrimin me objektivat e synuara, që komunat të jenë më kompetitive, të shtojnë dendësinë e aktiviteteve dhe të përfitojnë fonde shtesë për investime kapitale.
Kliko këtu 👇:
https://mapl.rks-gov.net/raportet-vjetore-te-mapl-se/