Reagim

Akuzat e subjektit ‘Lista Serbe’ se Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar gërmime në varrezat ortodokse në veri të Mitrovicës janë krejtësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme.
Duam të njoftojmë opinionin publik se nuk ka asnjë vendim as nga Qeveria e Republikës së Kosovës e as nga komuna për ndonjë punim të tillë.
Në anën tjetër, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, sqaron se në kuadër të skemës për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive për komunitetet jo shumicë në Komuna, pas vlerësimit nga komisioni profesional ka përzgjedhur të financoj ndërtimin e shtëpisë për pronarin R.C.
MAPL, subvencionon vetëm ndërtimin e shtëpisë në sipërfaqe prej 62m2. Përfituesi është i obliguar që të kontraktoj operatorin ekonomik për ndërtimin e shtëpisë dhe përmes subvencionit e kryen pagesën në mënyrë direkte. Në lidhje me hapjen e rrugës dhe dëmtimin e varrezave ortodokse nuk mban asnjë përgjegjësi pasi që ky program financon vetëm ndërtimin e shtëpisë dhe jo infrastrukturën rrugore.
Investimet e Qeverisë së Kosovës do të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarëve pa cenuar asnjë të drejtë të asnjë komuniteti apo individi.