Me ftesë të Kryetarit të Organizatës Evropiane të Qyteteve të Mëdha, Giorgio Prister, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Besnik Osmani, është duke marrë pjesë në Konferencën Vjetore "Major Cities of Europe", që po mbahet në Cyrih të Zvicrës. 03 qershor 2014
Me ftesë të Kryetarit të Organizatës Evropiane të Qyteteve të Mëdha, Giorgio Prister, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Besnik Osmani, është duke marrë pjesë në Konferencën Vjetore "Major Cities of Europe", që po mbahet në Cyrih të Zvicrës. Tema e kësaj konference është Menaxhimi i Qyteteve Komplekse në Botën Digjitale ku po prezantohen përvojat aktuale të qyteteve të ndryshme evropiane në menaxhimin e sfidave gjatë transformimeve të tyre në kontekstin e rolit të rritur të teknologjisë së informacionit në modernizimin e shërbimeve publike për qytetarët. Fokusi i konferencës është në rolin e zhvillimit të politikave dhe gjetjen e mënyrave për përfshirjen e qytetarëve në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes në lidhje me të gjitha çështjet, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kualitetin e jetës së tyre.
Me këtë rast z. Osmani ka pasur rastin të takohet edhe me përfaqësues të qyteteve të Cyrihut, Hamburgut, Barcelonës, Zagrebit, Tel Aviv-it, Vjenës dhe akterë tjerë pjesëmarrës në këtë konferencë, ku janë shkëmbyer përvojat dhe është konfirmuar edhe një herë gatishmëria e partnerëve për të ndihmuar institucionet e Kosovës në avancimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale. Është arritur marrëveshja që së bashku me UN-Habitat-in në Kosovë, metodat e aplikuara në disa nga këto qytete të prezantohen në një ngjarje të veçantë para përfaqësuesve të nivelit qendror dhe lokal në Kosovë me mundësi zbatimi në praktikë si projekt pilot në disa komuna.